E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ju jeni të parët (që do rilindni)

ALBANIA EU BERISHA ASHTONNga Taulant Koplikaj

Jam i sigurt që ju do ndjeheni keq pas humbjes së liderit tuaj shpirtëror, por ju siguroj se 23 qershori do jetë data e rilindjes dhe për ju. Për ju që keni ngulur flamurin e PD-së në atë dritare, e cila në vend të bojës ka njollat e baltës së Drinit e Bunës, që hyjnë e dalin në shtëpitë tuaja nga dy herë në vit. Ju thërrisni emrin e tij edhe nga maja e varkës me të cilën u çoni fëmijëve të izoluar thesin e mykur të miellit që ndan ushtria.

Do të ndjehesh keq (por vetëm për pak kohë), ti militant i Gërdecit që ngre lart dy gishtat dhe harron se njërin e ke të cunguar nga cifla e predhës së djalit të atij. Ti ke harruar shtëpinë e rrënuar deri në themele dhe vëllain e përçudnuar që nxore nga gërmadhat e fabrikës së vdekjes. Edhe ti aty pranë, që ke humbur më të shtrenjtin e jetës tënde, fëmijën që u vra për fajin e vetëm se luante pranë fabrikës së Zenit, dukesh aq i përhumbur sa ngjan sikur ke harruar shkaktarin, që si i pacipë guxon e të fton në mitingjet e tij.

A thua ke harruar ti malësor fisnik sesi tu shua vajza në duar teksa e zbrisje në vig drejt spitalit të Shkodrës? Vogëlushja kishte të vetmin faj se banonte në Dukagjin, aty ky fadroma e këtij shteti nuk e hapte rrugën për “mungesë fondesh”. Nga britma jote atë ditë dimri u drodh mali i Shoshit e hodhi orteqe nga dhimbja, ndaj mos harro.

Je i pari që do rilindësh dhe ti banor i Bregut. Ty të shiti atë të shtrenjtë det përpara syve e sot ti sheh plot dhimbje sesi peshkarexhat e grekut vërdallosen e thuajse çikin tokën tënde. Ti mund të ishte ngushëlluar atë tokë mrekullisht të bukur, por edhe aty është sulur i babëzituri klan i familjes së tij.

Ju banorë prej 60 vitesh në shtëpitë gërmadha të ish-pronarëve morët dhuratën e fundit prej tij, nxjerrjen jashtë për zhelesh (ashtu siç i pëlqen Jozefinës), pasi më parë ju mbushi veshët me rrena për kredi të buta dhe banesa sociale. Me qindra prej jush prej tre muajsh jeni mes katër rrugëve me urdhër direkt të këtij rrenacaku të pashoq. Rilindje, ju del nga shpirti për të shporrur këtë të keqe njëherë e mirë nga ky vend.

Rilindje për ty pronar pa pronë që hipotekarët xhelngrirë në flokët e palarë ta kanë stërmbivendosur, ndërsa ti endesh andej e këtej zyrave të këtyre fundërrinave të sistemit.

Rilindje dhe për ty që nga akuzues u ktheve në të akuzuar sepse gjykatësit i mungonin ca lekë për të blerë “Jaguari-n” apo “Porsche-n” e fundit. Ti ke jetuar gjithë frikë se këta monstra të sistemit të Sali Berishës të kalbin më kot në burg edhe pse se kanë për gjë të nxjerrin të pafaj Fatmirin e Gërdecit apo Ndrean e Gardës. Aq nder kanë.

Rilindje për ty banor i kryeqytetit. Ty që ta masakroi votën. Ta mori të bardhë nga dora e sy më sy, si i pafytyrë e i pander, të tha se është e zezë (edhe pse shkëlqente nga bardhësia). Ta dhunoi aq keq inteligjencën e dinjitetin duke ta vjedhur qytetin tënd, të vetmin oaz qytetërimi që na kishte mbetur.

Rilindje për ty banor i periferisë në Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier, Elbasan. Në thesin e stërmadh të rrenave kishte dhe legalizimin e shtëpisë tënde. U përdrodh e u spërdrodh gjithë këto vite e ja ku e mbylli mandatin e tij sërish duke u sjellë si burracak ndaj jush.

Lista juaj është e pafund. Të gjithë të gënjyer, të mashtruar, të përdhosur e të shkelur keqas me këmbë nga ky kampion i rrenës, të cilit politikisht i kanë mbetur vetëm 24 orë jetë në këtë botë.

Gjatë këtij muaji të nxehtë ju ishit të parët që doja t’ju dëgjoja zërin, por zëri juaj dëgjohet fort e qartë edhe pa folur asnjë fjalë. Sepse falë jush e shumë të tjerëve si ju, ne njohëm vit pas viti fytyrën e vërtetë të Sali Berishë.

Gëzuar Rilindjen të gjithëve!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›