Ne jemi fitues që e mbajmë fjalën 100 përqind!
Fushata zgjedhore në qarkun e Kukësit ka mbërritur në ditën e fundit të saj.
Ishte një fushate që si në asnjë zonë tjetër të vendit, ka pasur tensione dhe dhunë psikologjike mbi zgjedhësit dhe kandidatët. Në këtë fushatë, kandidatët e LSI-së, dhe mbështetësit tanë të shumtë, kanë qenë para një sprove të madhe.
Ne ia kemi dalë të përballojmë me kurajë dhe guxim terrorin policor dhe dhunën e tmerrshme të kandidatëve të dështuar të shumicës së tretur.
Por dhuna e kandidatit- ministër më shumë ka qenë dhe mbetet edhe disa orë terror mbi Policinë e Shtetit.
Dorëheqja e Shefit të Rendit është prova më e mirë se ç’po i bën Policisë së Shtetit një kandidat i humbur.
Por unë dhe gjithë mbështetësit e mi, ata që kam në krah, dhe mijëra të tjerë që do ta shprehin mbështetjen me votë, jemi këtu për të pohuar vendosmërisht se: Ne jemi fitues, dhe fituesi nga ai fis që e mban fjalën e dhënë 100 përqind.
Unë dua të deklarohem publikisht se për shkak të terrorit dhe dhunës së të humburve, nuk kam pasur mundësinë t’i takoj disa qindra votues dhe mbështetës me besë.
Por pas datës 23 qershor, unë jam në betimin e deputetit që gjer tash ka munguar.
Jam i vendosur për t’i takuar dhe përqafuar gjithë votuesit dhe mbështetësit e mi.
Është deklarata ime sublime për të mbetur besnik i çdo fjale dhe bese të dhënë!
Me mirënjohjen dhe respektin, me besimin dhe guximin, me dashurinë dhe nderimin e përhershëm për mijëra votuesit krenarë dhe kreshnikë të kësaj zone, deputeti juaj, Apostol Goçi!
*Kandidat për deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Kukësit
