“Ju maratonomakë të bashkimit në Europë, për të cilin çdo shqiptar duhet të bëjë gjithçka”
Kryeministri Berisha pret përfaqësues të bashkatdhetarëve që përshkuan me këmbë rrugën nga trevat shqiptare drejt Vlorës, në 100 vjetorin e Pavarësisë
Kryeministri Sali Berisha priti dje, përfaqësues të bashkatdhetarëve që përshkuan me këmbë rrugën nga shtëpitë e tyre në trevat shqiptare drejt Vlorës, në festen e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Kryeministri Berisha, duke u uruar mirëseardhjen, i përgëzoi ata për simboliken e shkëlqyer që krijuan si Maratonomakë të bashkimit.
Kryeministri Berisha tha se bashkimi i shqiptarëve në Europë është një proces që nuk mund të ndalet, për të cilin çdo shqiptar duhet të bëjë gjithçka për të kapërcyer pengesat e panumërta të krijuara gjatë 100 vjet ndarje.
Kryeministri tha se procesi i bashkimit të shqiptarëve u bën mirë edhe fqinjëve tanë, çlirimit të tyre nga albanofobia, ndërsa i quajti krejt të papranueshme qëndrimet e tyre të fundit në Preshevë dhe në Maqedoni. Ai u kërkoi shqiptarëve atje të mos bien pre e provokimeve dhe të ndihmojnë me gjakftohtësi e pa nxitim në zgjidhjen me urti të problemeve dhe në uljen e tensionit që dëmton shqiptarët atje.
Përfaqësuesit e bashkatdhetarëve që përshkuan me këmbë rrugën nga shtëpitë e tyre në Gjilan, Ferizaj, Prizren a Kumanove drejt Vlorës për 18 ditë e falënderuan Kryeministrin Sali Berisha për mikpritjen dhe vlerësimin e aktit të tyre si simbolikë bashkimi, ndërsa ndanë me të besimin se ky proces është i pandalshëm.