Beogradi sulmon kryeministrin Berisha dhe lëshon thirrje për destabilizimin e rajonit
Deklaratat për rishqyrtim të marrëdhënieve me Serbinë, sollën ndërkombëtarëzimin e konfliktit të Preshevës dhe nervozojnë pasardhësit e Milosheviçit në qeverinë e Serbisë
Ministria e Jashtme e Serbisë është nervozuar ndaj deklaratës së Kryeministrit të Shqipërisë, lidhur me heqjen e përmendores në Preshevë më 20 janar. Sipas tyre fjalori që është përdorur në deklaratën e përmendur nga ana e kreut të Qeverisë së Shqipërisë nxit direkt aktivitetet e mëtejshme të orientuara në destabilitetin e situatës në jug të Serbisë, por edhe në rajon, në vendet fqinje të banuara nga shqiptarët.
Ministria e Jashtme serbe konsideron se fjalori që është përdorur në deklaratën e përmendur (të Qeverisë së Shqipërisë) nxit direkt aktivitetet e mëtejshme të orientuara në destabilitetin e situatës në jug të Serbisë, por edhe në rajon, në vendet fqinje të banuara nga shqiptarët.
“Kualifikimet dhe akuzat e orientuara kundër Qeverisë së Serbisë, janë në kundërshtim të plotë me bindjet e dhëna personalisht nga ana e kryeministrit shqiptar, Berisha, gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Mërkiç në Tiranë, se Shqipëria është e gatshme të shpalosë një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve”, thuhet në reagim.
“Retorika e zjarrtë me brengosje për pozitën e pakicës kombëtare shqiptare në jug të Serbisë, paraqet një qëndrim të vrazhdë”, konsideron kjo ministri, duke pasur parasysh se mbrojtja e pakicës shqiptare dhe e të gjitha pakicave të tjera në Serbi është në harmoni me standardet më të larta ndërkombëtare, shumë më tepër nga ato që zbatohen ndaj pakicave kombëtare që jetojnë në Shqipëri.
“Pikërisht, duke pasur parasysh mos ekzistencën e çfarëdolloj kornize juridike për mbrojtjen e pakicës serbe dhe të tjera nacionale në Shqipëri, konsiderojmë se autoritetet shqiptare duhet të ndërmarrin masa serioze që të sigurohet mbrojtja e të gjitha komuniteteve në harmoni me standardet ndërkombëtare në fuqi”, thuhet me tej në reagim.
“Nga Shqipëria presim që të sillet në harmoni me prioritetet e proklamuara dhe me aksionet e veta të mos kontribuojë në stabilitetin e situatës në vendet fqinje”, theksohet në fund të kumtesës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë.
Ndërkohë, një ditë më parë kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike u shpreh se Shqipëria do të shohë marrëdhëniet me Serbinë.
Sipas kreut të ekzekutivit ka vetëm një rrugë, ajo e bashkimit të kombit shqiptar, që mund të çlirojë fqinjët nga urrejtja shekullore.
“Në Luginën e Preshevës, para qytetarëve, kamerave televizive u shpalos edhe njëherë me egërsi të vërtetë, racizmi, urrejtja dhe frika ndaj shqiptarëve, nga autoritetet e Beogradit. Me forcën e mitralozave, autoblindave, të njësive speciale u shkul nga qendra e qytetit të Preshevës, përmendorja e heronjve të kombit shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët ranë në një përballje heroike me pushtuesin, me falangat e Sllobodan Millosheviçit, në një kohë kur sipas të gjitha dokumenteve ndërkombëtare, të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera, shqiptarët e Preshevës ishin qytetarët më të shtypur në Europë dhe ndoshta në Botë. Lufta e tyre heroike bëri që ‘Sadami i Ballkanit’, të detyrohet të firmosë marrëveshje dhe me ndërmjetësim ndërkombëtar, për tu njohur atyre më shumë të drejta, më shumë autonomi dhe kjo është autonomia që ju njeh Beogradi. Është në të drejtën e autoriteteve lokale, të vendosin institucionet e tyre kulturore, shtatoret dhe simbolet e tyre. Deri dje, ata u detyruan të ulen në marrëveshje me ta dhe pas marrëveshjes, jo të gjithë e zbatuan, por me një gjuhë të denjë vetëm për ta, i krahasuan me Al Kaedën. Ky akt dëshmon edhe njëherë se ka vetëm një rrugë, bashkimi i kombit shqiptar, në mënyrë që shqiptarët të gëzojnë liritë, që i fituan me gjak. Asnjë e drejtë nuk u është dhënë shqiptarëve qoftë edhe 10 vite më parë, pa sakrificat e tyre sublime. Çdo e drejtë e tyre është e njomur me gjakun e të rinjve, vajzave, djemve, grave dhe burrave të kombi shqiptarë, në trojet e tyre etnike shekullore ku jetojnë. Urrejtja ndaj shqiptarëve është e akumuluar në shekuj, është e induktuar në qeliza dhe këto zhvillime tregojnë se është iluzion, të mendosh se ata, të cilët kanë ngritur malet me urrejtjen ndaj shqiptarëve do të mund të çlirohen shpejt ndaj saj,” theksoi Kryeministri Berisha.