E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata/Noka: “Dufet primitive nuk e shkurajojnë Policinë e Shtetit”

23-01-2013 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm, u përgjigjet akuzave të kreut të opozitës

“Asnjë presion nuk do të pengojë policinë e shtetit për të kryer punën e saj në shërbim të qytetarit”. Kështu u është përgjigjur akuzave të sotme të kreut të selisë rozë Edi Rama, Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ku sipas tij shefi i opozitës shqiptare përmes deklaratës së sotme prezantoi dy qëllime të mbrapshta, kërkoi të intimidojë policinë e shtetit si dhe inkurajoi dhe motivoi botën e krimit, të cilën sipas Nokës, Rama e përdor në fushata elektorale.
Ministri Noka shprehu edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta dhe dhimbjen më të thellë për humbjen e shefit të Krimeve të Policisë së Burrelit, Komisar, Musa Skura. 
Sipas tij, kreu i opozitës, Edi Rama prezantoi dy qëllime të mbrapshta.
“Së pari, të intimidonte policinë e shtetit, ata mijëra punonjës që mbrojnë me jetën e tyre sigurinë e qytetarëve shqiptarë dhe, së dyti, inkurajimin dhe motivimin e botës së krimit e individëve me precedentë penalë, që ka mbledhur në kupolën politike të Partisë Socialiste dhe që synon t’ i përdorë në fushatën e ardhshme elektorale, ashku sikundër ka vepruar edhe në të shkuarën. Jam sot përpara jush, për t’i deklaruar zotit Rama, politikanit me rekordet me negative në lidhjet me krimin dhe përdorimin e grupeve kriminale në fushatat brenda dhe jashtë partisë, se përpjekja e tij është e pafrytshme. Asnjë presion nuk do të pengojë Policinë e Shtetit në kryerjen e misionit të saj, garantimin e sigurisë publike e qetësisë në vend dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe zgjatimeve të tij, kudo qofshin këto, qoftë edhe në zyrën z. Rama”, deklaroi Noka. 
Ndër të tjera, ministri i Brendshëm Noka komentoi edhe statistikat të cituara nga Rama, ku i vlerësoi fund e krye mashtrime dhe trillime.
Sipas tij, Rama përdori kandidatë me precedentë penalë, në zgjedhjet lokale të vitit 2011 dhe mbështetja e këtij enturazhi deputetesh të përfshirë në struktura ndërkombëtare të krimit të organizuar, e çoi atë në humbje. “I njëjti fat e pret edhe në zgjedhjet e 23 qershorit. Z. Rama nuk mundet kurrë të shtojë aksionet politike, duke iu kundërvënë sakrificës së mijëra punonjësve të Policisë së Shtetit, që e kanë të shenjtë sensin e detyrës ndaj vendit. Duke shfryrë dufet primitive ndaj Policisë së Shtetit dhe duke nëpërkëmbur jetën e punonjësve të rendit që kanë rënë në krye të detyrës, ai u jep qytetarëve shqiptarë një argument më shumë, pse duhet ta hedhin në koshin e plehrave të historisë platformën e tij më 23 qershor”, vijoi ministri Noka.
Ndërkaq duke iu referuar deklaratës së Ramës se do të krijojë një Polici të re Shteti sapo të vijë në pushtet, Noka vlerësoi se deklarata të tilla janë për të ardhur keq, ndërsa e bëjnë Edi Ramën qesharak.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›