E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ju rrëfej orët e fundit të Hysni Milloshit

Hysni Milloshi

Magdalena Alla

Hysni Milloshi jetonte në një apartament modest, në të cilin mblidheshin edhe krerët e asaj që sot quhet Partia Komuniste Shqiptare. Brenda atyre mureve në sallën qendrore në faqen ballore gjendet foto e madhe e Enver Hoxhës dhe poshtë fotos data 8 nëntor 1941, dhe një yll me drapër e çekan. Në faqen tjetër të murit lexohet: Lavdi marksizëm leninizmit!. Në një zyrë tjetër gjendet fotoja e ish-kryetarit të sapondarë nga jeta: Hysni Milloshit, me shirit të zi, shumë kartolina me foto të Enver Hoxhës, e karta anëtarësimi në PKSH, albume me foto të aktiviteteve të PKSH, ku sërish mbizotërojnë foto të Enver Hoxhës, Qemal Stafës, data si 5 maji i dëshmorëve etj.

Në zyrat ku Hysniu bëri organizmin e komunistëve të rinj, gjetëm këtë të dielë shokët e tij më të ngushtë. Në momentin që i takuam po punonin për numrin e ri të gazetës Zëri i së vërtetës.

Nuk kemi një tjetër Enver Hoxha, por shoqëria jonë e ka treguar dhe do nxjerrë të tjerë lider si ai. Nuk jemi fitues tani, por duhet ta mbajmë zjarrin ndezur në vatër që mos fiket. Komunizmi është sistemi më i mirë në botë. Kemi humbur një betejë, por jo luftën, – thonë.

Bisedojmë me mikun më të ngushtë të të ndjerit Milloshi, Shahin Caca.

Zoti Shahin! Keni qenë miku më i ngushtë i Hysni Milloshit, siç tregojnë dhe shokët tuaj. Si e keni përjetuar humbjen e këtij miku?

Ishte e papritur. Jemi ende të shokuar nga çfarë ka ndodhur. Unë e kisha jo mik, por si vëlla. Kemi qenë në zyrën e PKSH-së deri në datën 23 prill, dy ditë përpara se të ndahej nga jeta. Madje kam qenë i fundit që e kam takuar në mëngjesin dhe pasditen e asaj date. U takuam si çdo ditë, për të pirë kafen e mëngjesit te lagjja ku banonte, Xhamlliku. Folëm për punët dhe më pas e lamë që ai do të nisej direkt në spital. Në fakt, po i thoja edhe sa ngushtë ishim me financat, që kisha pará sa për botimin e gazetës, por jo për qiranë e zyrave të partisë. Dhe ai çfarë kishte bërë? Pasi u nda me mua, kishe shkuar në Laprakë tek një kushërira e vet. Më merr në telefon një shoku ynë dhe më thotë që Hysniu është në Laprakë dhe i ka gjetur paratë e qirasë për gjithë vitin. Pasi kishte mbërritur më vonë në spital, më mori vetë në telefon dhe më tha: U shtrova, meqë mjekët këmbëngulën. Por po pate mundësi, takohemi në orën 6 pasdite te shtëpia ime, se do vij sa të marr ca dokumenta, që ti punoj në spital. Gjithë ditën ai njeri vetëm shkruante, punonte. Vetëm 1-2 orë në gjumë bënte.

Çfarë punësh e dokumentesh kishte nëpër duar?

Kohët e fundit kishte në duar shumë vepra. Po i jepte dorën e fundit një libri për një ushtar të UÇK-së, me titullin Legjenda e kuqe. Ia kërkuan miqtë tanë atje. Apo po punonte një biografi për Halil Katanën, ish-kryeredaktorin e gazetës Luftëtari etj.

Që kur kishte shfaqur shenja se ishte i sëmurë?

Jo. Ka qenë natyrë që nuk ankohej, nuk donte të shqetësonte njeri dhe më shumë i mbante përbrenda problemet që mund të kishte. (Qan). Kishte gati një javë që u shpreh se nuk ndihej mirë dhe ishte rënduar nga ana shëndetësore. Unë kam marrë një doktor, e çova në ambulancë përpara një jave, një natë sollëm doktorin në shtëpi. Por ne shqiptarët neglizhojmë shumë. Mjeku i la porosi të bënte menjëherë grafinë. Ai nuk e bëri në kohën e duhur. Të hënën tjetër, – tha, – do shkoj te mjeku, por nuk do shtrohem në spital. Ne shokët këmbëngulëm që të shtrohej. Them se sëmundja iu stimulua edhe ngaqë punonte gjatë.

Po në spital, ku nuk bëri as dy ditë jetë, në çfarë gjendje ju është dukur?

Të nesërmen në mëngjes e gjeta duke folur me mjekun. Ishte më i qetë se sa unë tani, krejt i kthjellët, madje i tregonte histori nga rinia e tij, kur ishte skënderbegas. Mjeku e cilësoi me ftohje të hershme, fibrozë pleumonare. E këshilloi të mbante oksigjenin në hundë. Ndoshta mushkëritë dhe truri i tij nuk furnizoheshin me ajër. Por nuk kishte as kollë, as gëlbazë. E pyetëm çfarë të të sjellim ndonjë gjë? Nuk donte asgjë, përveç pastiços që ime shoqe e gatuan shumë të mirë. Vazhdimisht thoshte: jam mirë, ndaj mu duk i pabesueshëm lajmi i ndarjes së tij nga jeta, që ma tha një shoku im në orën 7:30, ndërkohë që Hysniu kishte dhënë shpirt rreth orës 4 të mëngjesit. Mos bëj shaka të tilla!, i them. Por ishte e vërtetë. (qan).

Miqësia juaj e thellë e ka zanafillën tek idealet e përbashkëta apo është më tepër se kaq, mistike, e pashpjegueshme?

Jemi njohur që në vitet e para pas 90-ës, kur ky i fundit ishte anëtar i thjeshtë i Komitetit Qendror të Partisë Komunistë të Shqipërisë. U lidhëm edhe më shumë si anëtarë të kryesisë, e nuk jemi ndarë një ditë. Sidomos pas vitit 97 u bëmë një grup që bëmë një betim se kishte ardhur koha që komunistët të organizoheshin dhe fuqizoheshin në mbrojtje të popullit dhe atdheut. Ajo që na bashkoi ishte pikërisht dhimbja që ne ish-komunistët ndjenim kur shihnim se si fitoret e arritura po shkatërroheshin.

Çfarë shpirti kishte Hysni Milloshi?

Kemi humbur një njeri të ndershëm, të thjeshtë, me karakter të fortë, të palëkundur, atdhetar të madh. I varfër financiarisht, por i pasur në shpirt. (qan). Hante me fukarain, edhe me byrek në dorë, i dhimbnin plagët dhe hallet e njerëzve, edhe pse ishte atesit. Ishte komunist, por dhe shumë demokrat nga respekti për mendimin e të tjerëve. Nuk ngrinte zërin të imponohej. Dëgjonte me shumë vëmendje mendimet. Shqetësohej shumë për informacionet në media, që përditë shanin Enver Hoxhën, komunizmin. Ishte mik për kokë i njerëzve të thjeshtë dhe nuk duronte dot borgjezët. Imagjino, ne jemi të gjithë vullnetarë në parti, nuk paguhemi dhe Hysniut i takonte një 20.000 lekësh në muaj, që duhet tia jepte vetë partia. Por edhe ato shumë rrallë i ka pranuar. Për vitin 2012 nuk kishte marrë asnjë muaj pagesë. Pranoi vetëm një 20.000 lekë tani që u shtrua në spital, dhe i duheshin. Nga ato, 2.000 lekë i prishi për tua shpërndarë mjekëve dhe infermierëve. Mbaj mend që pastrueses së spitalit, kur i zgjati pak pará, dhe ajo nuk donte ti merrte, i tha: Ne të dy jemi proletarë! Ti më shumë se të tjerët duhet të mi pranosh. Dhe ia la me zor.

Enver dhe Nexhmije Hoxha

Hysniu, pasuesi më i denjë i Enver Hoxhës

Ka pasur një shtëpi ku është themeluar partia Komuniste Shqiptare në 8 dhjetor 1941. Por ka edhe një shtëpi të dytë, këtë herë thjesht një apartament modest, në të cilën që prej vitit 2006 mblidhen krerët e saj aktualë, deri pak ditë më parë me në krye Hysni Milloshin. Nga 91 deri në vitin 2006 ishte shtëpia e Hysni Milloshit që u vu në dispozicion të partisë si zyrë, falas, thotë Gjon Gjergji, anëtar i kryesisë së Komitetit Qendror të PKSH-së. Si në ilegalitet për vite të tëra, e tani si gjysmë në ilegalitet brenda atyre mureve në sallën qendrore ballas gjendet një foto e madhe e Enver Hoxhës dhe poshtë fotos data e parë e themelimit të PKSH-së, 8 nëntor 1941, dhe një yll me drapër e çekan. Në faqen tjetër të murit: Lavdi marksizëm-leninizmit!, një pankart

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›