E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rouçek: Zgjedhja e Presidentit të ri, si në Gjermani

Libor Rouçek, ish-raportues për Shqipërinë, Zëvendëskryetar i Grupit të Aleancës progresiste të social-demokratëve në Parlamentin Evropian thotë se situata në Tiranë është e njëjtë. Dhe po e njëjtë sipas tij, duhet të jetë dhe zgjidhja  konsensuale.

"Nëse ne mund të merrnim një shembull të fundit për zgjedhjen e presidentit, kjo është Gjermania. Sepse Gjermania ka pasur probleme me presidentin. Tani aty u zgjodh një person me konsensusin e të gjitha forcave politike. Ky konsensus u arrit midis social-demokratëve, liberalëve dhe demokristianëve. Kjo është situatë e njëjtë edhe për ju", deklaroi Rouçek për “AS”.

Por si e shohin europarlamentarët figurën e re që duhet të kryesojë shtetin?
"Një president duhet të qëndrojë mbi grindjet e përditshme politike. Presidenti duhet të jetë një individ që duhet ta bashkojë politikën. Nëse ka një problem dhe qeveria nuk bie dakord për diçka me opozitën, në këtë rast presidenti luan rolin e tij në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Pra, nëse unë po jap si shembull Gjermaninë, unë mendoj se kjo do të ishte e pranueshme dhe për Shqipërinë, për të zgjedhur një person që të pranohet jo vetëm nga partitë parlamentare, por edhe nga populli", thotë Rouçek.

Zgjedhja e presidentit te Republikës, procedurat për të cilin fillojnë në maj, do të monitorohet me kujdes nga Brukseli. Ajo do të pasqyrohet edhe në raport-progresin që do të dalë në tetor, kur pritet edhe përgjigja për kërkesën e Tiranës zyrtare për marrjen e statusit të vendit kandidat të Bashkimit Evropian./Start/

                                                                                             2012-04-29 16:38
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›