Ju sdoni të dini, sepse notoni në ujëra të turbullta
Në bisedat e përditshme rreth problemeve që hasim e dëgjojmë, normal që fjala bie rreth ngjarjes së Gërdecit. Më habit mënyra se si disa i gjykojnë gjërat, fare thjeshtë, duke përjashtuar vetëm familjet e atyre personave që kanë humbur njerëzit e dashur, për të tjerët “no problem”, sepse sipas tyre “Sala i ka ngopur ose do t’i ngopi me lekë”!
Në situatën e sotme ekonomike, lakmia për para deri diku mund të kuptohet, por të arrish deri këtu, është paradoksale.
Tashmë ka ardhur koha që shoqëria të ndërgjegjësohet e jo të heshtë! Nuk duhen harruar ata njerëz që u përcëlluan për së gjalli, sepse të gjithë e dimë: ishin duke punuar e jo duke shëtitur. Ndonjëri mund të thotë: “Po pse shkuan të punonin atje?”, por fëmijët nuk duan të dinë se si i fiton lekët ti apo unë; fëmijët duan të hanë, të vishen e të jetojnë ashtu siç ëndërrojnë.
Nuk duhen harruar ato qindra e qindra shtëpi të rrënuara, sepse nuk ishin kotece, po kulme ku njerëzit kishin ndërtuar jetesën e tyre.
S`duhen harruar njerëzit e gjymtuar, ashtu siç s’duhet harruar turpi që ndjemë përballë vetes për paaftësinë e qeverisë sonë. Si ka mundësi që të mos dini se çfarë bëhej në fabrikën e Gërdecit?!… Faktet ju implikojnë deri në grykë! Ju s’doni të dini, sepse notoni në ujëra të turbullta, ju keni harruar që këtyre njerëzve iu ndryshuat jetët, u prishët ëndrrat e i kthyet prapa në kohë! Ju s’mund të fshihni nga kujtesa e tyre dhe e jona, atë ç’ka atje ndodhi!