E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli: 15 për qind e faturave të energjisë nuk arkëtohen

Rreth 15 për qind e faturave të energjisë elektrike nuk arkëtohen. 

Fabiola Çela

Pavarësisht aksioneve të kryera për ndërprerjen e energjisë konsumatorëve debitorë, përsëri një pjesë e konsumatorëve vazhdojnë të mos e paguajnë energjinë që ata konsumojnë. Për shkak të këtyre problemeve privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes është një proces i vështirë. Por pavarësisht kësaj qeveria është goxha optimiste se privatizimi i OSSH-së do të përfundojë në muajin shtator. Deklarata është dhënë nga vetë kreu i Ministrisë së Energjetikës, Genc Ruli, në prezantimin zyrtar të kompanisë OSSH.
Problemet
“Është shërbimi publik me shtrirje më të gjerë që prek të gjithë popullatën e vendit dhe që lidhet me një mall shumë jetik që është energjia elektrike, që sigurisht lidhet dhe me faktin e vështirësive që përmban sistemi ynë energjetik”, ka deklaruar ministri i Energjetikës, Genc Ruli. Kjo treshe argumentesh bën që procesi i privatizimit të këtij sektori të cilësohet si një ndër më të vështirët. Sipas ministrit, problematik është raporti i krijuar mes sektorit të shpërndarjes dhe konsumatorit. “Nga njëra anë ajo që ne evidentojmë më lehtë që ky sektor, nuk ka vepruar gjithmonë me logjikën e një kontrate siç kemi në çdo transaksion tjetër midis qytetarit dhe ofruesit të shërbimeve. Nuk është se i është përgjigjur në dëmet që i shkakton ai konsumatorit dhe nga ana tjetër konsumatori shqiptar nuk është se është dalluar për korrektesën në pagimin e energjisë elektrike”, ka theksuar ministri. Madje, sipas tij, 15 për qind e faturave që lëshohen nuk mblidhen.
Privatizimi
Sipas ministrit Ruli, në muajin shtator pritet të ketë oferta goxha tumira nga kompanitë e listuara për privatizimin e OSSH-së. Ai theksoi se, katër kompanitë që kanë kaluar fazën e kualifikimit janë duke u njohur me hollësi lidhur me gjendjen teknike dhe financiare të OSSH-së. Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes është kërkuar me ngulm nga përfaqësuesit e Bankës Botërore, si dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Vetëm pak kohë më parë qeveria miratoi kriteret për kompanitë, që duan të marrin pjesë në tenderin për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Sipas kritereve të përcaktuara nga qeveria, investitorët që duan të blejnë OSSH-në duhet të kenë një eksperiencë të mirë në tregun e energjisë. Kompanitë që duan të marrin pjesë në tender duhet të kenë një biografi të pastër. Ky është një nga kushtet e vendosura nga qeveria. Sipas kritereve të miratuara nga qeveria, këta investitorë për tre vitet e fundit duhet të kenë pasur një vlerë neto jo më pak se 1 miliard euro. Gjithashtu investitorët përpara se të marrin pjesë në tender duhet të garantojnë që nuk janë në proces falimentimi, apo likuidimi dhe se nuk ndiqen për mashtrime, korrupsion apo për pastrim parash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›