E Diel, 1 Nëntor 2026

Ju tregoj rastet kur i drejtojmë pacientët në spital dhe në privat

Autori i Lajmit: D.K-Me tarifat e reja, sa është pagesa e faturës për një vizitë tek mjeku i familjes dhe si ka ndikuar vendosja e këtyre tarifave?
Pagesa e vizitës tek mjeku i familjes është 1 mijë lekë të reja. Rritja e tarifave ka ndikuar shumë mirë, sepse janë rritur të ardhurat dytësore dhe ajo që është më pozitive, është rritur edhe numri i librezave që kanë hapur banorët.
-Sa është numri i vizitave të kryera mesatarisht në një ditë tek ju?
Unë vetë jam mjeke kardiologe. Tek unë është 10 vizita në ditë.
-Po tek mjeku i familjes, sa shkon numri i vizitave?
Varet se sa banorë kanë mjekët e lagjes. Por u shkon nga 25-30 vizita në ditë, në ndonjë mjek shkon edhe 40 vizita në ditë. Tek Pediatria është edhe më pak, rreth 10 vizita në ditë.
-A kanë ankesa pacientët (e pasiguruar) për tarifën?
Jo, nuk ankohen. Fillimisht ka qenë pak problem, por tani, të gjithë ata që çojmë për faturë, nuk kundërshtojnë.
-Nga numri i vizitave që realizohen në qendrën tuaj, sa përqind janë vizita pacientësh të siguruar dhe sa përqind të pasiguruarish?
Përqindja më e madhe këtu janë të siguruar.
-Kjo situatë mos ju thotë gjë, se pjesa më e madhe e të pasiguruarve e marrin shërbimin tek privati?
Nuk mund ta them këtë gjë. Por një gjë shikoj, që me vendosjen e tarifave është rritur numri i vizitave.
-Kjo qendër a i ofron të gjitha shërbimet që i takojnë të ofrojë një qendre shëndetësore?
Shërbimet bazë i bëjmë. Por, ne kemi kryesisht mjek familjeje, kemi konsultoren e nënës dhe të fëmijës, kemi edhe specialistë…
-…Në cilat raste i adresoni pacientët në spital?
Ne në spital i çojmë për të konfirmuar diagnoza që nuk mund ti realizojmë këtu, për situata të rënda, për raste shtrimesh që nuk mund të jepet shërbim në mënyrë ambulatore.
-Sa ditë kalojnë për të realizuar vizitën mjekësore? Pra, mbyllja dhe pritja e një “rendez-vous”, sa kohë i kushton pacientit?
Mund ta bëjë vizitën tek mjeku specialist edhe brenda ditës. Varet se sa i pajisur është pacienti me ekzaminime. Nëse mjeku i familjes e ka pajisur me ekzaminime, vizita tek specialisti mund të bëhet edhe brenda ditës. Maksimumi dy ditë, por edhe kjo në raste shumë të rralla, sepse ne rrimë presim, derisa të mbarojnë të gjithë njerëzit.
-Po për vizitën tek mjeku i lagjes, si mbyllet takimi?
Mjeku i lagjes ia ka lënë takimin, edhe ditën, edhe orën, një muaj më parë pacientit. Është fjala për të sëmurët kronikë. Ndërsa rastet akute merren brenda ditës.
-Nuk është shumë një muaj, kur gjendja e pacientit mund të agravohet edhe me ditë ose me orë, qoftë edhe për një shqetësim të shtuar? Pra, nuk ngjan kjo si një planifikim i sëmundjes, kur ajo nuk mund të planifikohet?
Për të sëmurët kronikë, nuk është shumë. Por, nëse ka bërë një vizitë akute dhe ka nevojë për një takim të shpejtë, i lihet për dy ditë nëse i nevojitet për dy ditë.
-Kush do ta ndajë rastin akut nga rasti kronik? Kush do ta vlerësojë, kur këtij pacientit kronik ia kanë prerë ditën pas një muaji dhe nuk e presin më parë?
Mjeku e shikon gjendjen dhe kur është nevoja e ofron ndihmën brenda ditës. Mund të jetë një tension urinar p.sh, varet nga diagnoza.
-Si veproni me rekomandimet? Për sa ditë vlen një rekomandim i lëshuar nga mjeku i familjes?
Deri në 7 ditë
-Është e shkruar kjo?
Po, është e shkruar. Është e shkruar 7 ditë në rregulloret e vjetra.
-Po kur pacienti e ka marrë rekomandimin ditën e premte, ka përpara të shtunën dhe të dielën pushim, mund të jetë edhe e hëna, e marta se ka rënë festë fundjava, si veproni?
I njohim këto. E shtyjmë afatin e rekomandimit. Çdo gjë merret parasysh dhe nuk ka fare problem, nëse rekomandimi vajti edhe 8 ditë apo 10 ditë.
-Po për rikontrollet, kërkoni gjithnjë rekomandim nga e para?
Patjetër. Por varet edhe nga specialiteti dhe nga diagnoza. Varet edhe nga rëndesa e sëmundjes. Nëse bëhet fjalë për dy ditë, nuk i kërkoj rekomandim, se nuk do ta sorollas. Por, nëse bëhet fjalë për një muaj, padyshim që do ti kërkoj rekomandim. Përshembull, për një hipertonik, mund të duhet rikontroll për një muaj. Gjërat zgjidhen shumë mirë, mjafton të kesh dëshirën për ti zgjidhur.
Por dua të them se gjëja më pozitive në reformën që shihet tek Parësori, është hapja e librezave shëndetësore, që na janë trefishuar. Se më parë, një pjesë e njerëzve, duke qenë në punë, neglizhonin hapjen e librezës. Tani i kanë hapur dhe përfitojnë shërbimin që edhe kur u takonte, nuk e merrnin.
-Mendoni që kjo praktikë e re e ka reduktuar rryshfetin?
Po, po, po. E ka reduktuar. Edhe mjeku vetë ndihet më i vlerësuar, kur pacienti paguan faturën 10 mijë lekë të vjetra, sesa kur merr në xhep një 2000 lekësh të vjetër.
-Ndihet më i vlerësuar financiarisht mjeku në këtë mënyrë?
Patjetër
-Ju thoni se “fatura” për mjekun ka qenë 200 lekë?
Pse, sa kujtoni ju? Hajde rrini një ditë me mua, dhe do të shihni se nuk jep njeri më shumë.
-Ju mungon ndonjë pajisje, ndonjë reagent që ju detyron ti drejtoni pacientët për analiza në spital, në poliklinikën qendrore apo tek privati?
Ne dërgojmë gjithnjë tek Poliklinika Qendrore nr. 3, sepse aty bëhet pjesa më e madhe e analizave. Kjo është për rutinën e përditshme. Kur situatat janë shumë të rënda, i drejtojmë në spital. Poliklinika Qendrore, pjesën kryesore të analizave e bën. Por kur bëhet fjalë përshembull për enzimat e zemrës që nuk bëhen në shtet, detyrimisht që unë do ti rekomandoj në privat.
Ky lajm është publikuar: 24/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›