Superliga Vllaznia mundet nga Shkumbini, Martini debuton me humbje
Autori i Lajmit: Redaksia
Kategoria Superiore, pas pushimit disajavor, dhuroi dje, që në takimin parë të këtij viti, surprizën e parë: Vllaznia me “format” të ri (tashmë e drejton Edi Martini) humb ndeshjen në Peqin përballë Shkumbinit vendas. Problemet në kampin shkodran duket se nuk janë larguar edhe pse një gjë të tillë e kanë bërë dy trajnerë si Lika e Luçi. Të dyja skuadrat rreshtuan formacionet më të mira të mundshme, duke hedhur në fushë edhe disa nga blerjet gjatë merkatos dimërore. Heroi i takimit ishte Ilirjan Çaushaj, mesfushori i Shkumbinit, i cili dhuroi edhe dy asistët e golave të peqinasve në revanshin ndaj Vllaznisë, që nga ana e saj kishte fituar 2-0 në fazën e parë në “Loro Boriçi”. Pas një faulli të shkaktuar nga Bekim Bala (karton i verdhë për sulmuesin shkodran nga gjyqtari Kridens Meta), fantazisti Ilirjan Çaushaj ekzekutoi një goditje të lirë dhe mesfushori gjirokastrit, Fejzo Shënaj, i ardhur gjatë merkatos dimërore të peqinasve nga Kastrioti, shënoi me kokë në minutën e 34-t duke mposhtur Ilion Likën, në debutimin e tij të parë me fanellën e Vllaznisë. 1-0 për Shkumbinin. Në përfundimin e pjesës së parë, sulmuesi i Shkumbinit, Erjon Mustafaj dhe qendërmbrojtësi Blaze Rajoviç, u ndëshkuan me kartonë të kuq nga gjyqtari Meta për shkak të një incidenti midis tyre. Më pas në minutën e 56-të një asist perfekt i Ilir Nallbanit u kthye në “ar” nga Ndriçim Shtubina. Talenti i kuqebluve mundi me kokë portierin peqinas Ilirjan Bejte dhe barazoi momentalisht shifrat. Pas vetëm dhjetë minutash, ishte sërish përmetari i Shkumbinit, Ilirjan Çaushaj, ai që dha pasin e artë për sulmuesin boshnjak Altin Gërboviç, një tjetër blerje e peqinasve, që i dha për herë të dytë avantazhin Shkumbinit, qysh në prekjen e parë të pasuesit të Roland Dervishit (tashmë te Elbasani) në vijën e parë të formacionit të Përparim Daiut. Gërboviç pati një mundësi të artë për të shënuar golin e tretë të Shkumbinit, por topi i goditur prej tij qethi shtyllën duke përfunduar jashtë portës së mbrojtur nga ish-portieri i Kombëtares, Ilion Lika. Pas këtij 90-minutëshi Shkumbini regjistroi fitoren e shtatë sezonale (që të gjitha në Peqin), ndërkohë që Vllaznia pësoi humbjen e shtatë në transfertë në nëntë ndeshje (asnjë fitore jashtë “Loro Boriçit”). Klubi shkodran dëshmoi se edhe me fuqizimin e vijës sulmuese me boshnjakun Sead Haxhibuliç e ka të vështirë të fitojë. Edi Martini, trajneri i ri i Vllaznisë, e nisi me humbje debutimin e tij në krye të stolit shkodran. Trajneri i tretë sezonal i kuqebluve humbi 2-1 sfidën me Shkumbinin në Peqin gjithashtu ai humbi edhe një sfidë “personale” me dy paraardhësit e tij: Roland Luçi, ashtu edhe trajneri i parë i Vllaznisë këtë sezon, Hasan Lika, kishin humbur takimet e para. Luçi kishte humbur në debutimin e tij në ndeshjen kundër Flamurtarit (2-0, java 6) ndërsa Hasan Lika (aktualisht drejton Apoloninë), humbi 2-0 me Besën në javën e parë të Kampionatit të 71-të Kombëtar (2009-2010).
Ndeshjet e sotme
Sot do të zhvillohen edhe katër ndeshje të tjera të vlefshme për javën e 18-të. Në Ersekë, në një stadium pa tifozë, Gramozi do të presë Apoloninë. Vendasit, në mesjavë u ndeshën me Realin e madh, kësaj radhe do ti falin vetën një tjetër humbje. E para e këtij viti i kushtoi kupën Taçi Oil ndërsa një tjetër dështim do ti kushtonte shtrenjtë për sa i përket renditjes në Kategorinë Superiore. Nga ana tjetër, trajneri i Apolonisë, Hasan Lika, kërkon lavdi, pasi në javët e fundit nuk po merr asgjë nga të tijtë. Madje po kontestohet jo pak nga tifozët e Apolonisë. Kësisoj, duhet të japë prova që në Ersekë, për ta luajtur ndeshjen pasardhëse në Fier me një tifozëri më miqësore karshi tij. Në të kundërt, kjo e fundit duket e vendosur të kërkojë llogari, edhe prej faktit se largimin e Haxhibuliçit ia faturon trajnerit kryeqytetas. Në Vlorë duket se Besa kërkon që të rikonfirmojë blerjet e saj më të reja. Sinani do të jetë një vlerë e shtuar e sulmit të skuadrës së Duros, ndërsa Shkëmbi duket se nuk do të pasurojë edhe më shumë repartin ofensiv të kavajasve, pasi vendimi i Komisionit të Apelit pranë FSHF-së, i ka dhënë të drejtë përfundimtare Skënderbeut për ish-lojtarët e tij. Përforcohet ambicia e presidentit Bizhdili se titulli është plotësisht i mundur, por kjo duhet të kalojë nga Flamurtari, i cili gjendet në fundin e renditjes, që do të thotë “mbijetesë”. E thënë ndryshe, asnjë pikë e lënë në shtëpi dhe sa më shumë të tilla në transfertë. Në Laç ekipi kurbinas pret skuadrën e Teutës. Të dyja këto ekipe kanë një synim të vetëm: tri pikët. Objektivi në fjalë duket se është më i arritshëm për vendasit, pasi këta të fundit faktorin “fushë” kanë ditur ta shfrytëzojnë më së miri, mjafton të shohësh humbjet e Tiranës dhe të Vllanisë, javë më parë. Skënderbeu i problemeve të shumta, që të premten ka rifituar “luftën” me lojtarët e tij, që Disiplina i la të lirë, rreth 6 të tillë, kërkon të hakmerret ndaj Kastriotit. “Ujqit e dëborës” nuk e kanë harruar ndeshjen e fazës së parë, kur trajneri krutan, Ramazan Ndreu, goditi me grushte njërin nga kroatët e juglindorëve, Djarmantin, i cili në merkaton e janarit, pasi Disiplina e la të lirë, gjeti strehë në Krujë. Por, pas vendimit të Apelit, i duhet të kalojë sërish te Skënderbeu, bashkë me Shkëmbin dhe kompani.
Ndeshjet, Java e 18-të
Dje
Shkumbini-Vllaznia 2-1
Shënues: Fejzo Shënaj 34 , Altin Grbovic 66; Ndriçim Shtubina 56
Sot
Flamurtari-Besa 13:00
Laçi-Teuta 14:00
Gramozi-Apolonia 14:30
Skënderbeu-Kastrioti 14:30
Nesër
Tirana-Dinamo 14:00
Renditja Nd. Pikë
1 Dinamo 17 42
2 Besa 16 30
3 Tirana 17 29
4 Apolonia 17 25
5 Teuta 17 25
6 Shkumbini 18 24
7 Laçi 17 21
8 Kastrioti 17 19
9 Vllaznia 18 19
10 Skënderbeu 16 15
11 Flamurtari 17 15
12 Gramozi 17 15
Ky lajm është publikuar: 24/01/2010