E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marinsat amerikane përfundojnë misionin në Irak

Autori i Lajmit: RedaksiaBagdad - Marinsat amerikanë i dhanë fund misionit të tyre gati shtatëvjeçar në Irak, duke ua dorëzuar obligimet e tyre pjesëtarëve të armatës dhe duke sinjalizuar fillimin e tërheqjes së përshpejtuar të forcave amerikane, në momentin kur SHBA-ja po zhvendos vëmendjen nga lufta në Irak, për ta përqendruar atë në Afganistan. Ndërkohë, për vizitë në Bagdad dje qëndroi zëvendëspresidenti i SHBA-së, Xho Bajden, i cili zhvilloi biseda me zyrtarët irakianë, pas shtimit të tendosjeve për shkak të planit për të pamundësuar pjesëmarrjen e disa kandidatëve në zgjedhjet e përgjithshme, për shkak të lidhjeve të tyre të dyshuara me regjimin e Sadam Huseinit. Shtëpia e Bardhë po shqetësohet se ndalesa mund të nxitë dilemat në lidhje me korrektësinë e zgjedhjeve parlamentare, të cilat zhvillohen më 7 mars, e të cilat konsiderohen si të rëndësishme për afatin kohor të tërheqjes së amerikanëve. Gjatë ceremonisë së organizuar në Ramadi, marinsat amerikanë edhe formalisht ua dorëzuan kontrollin në provincën e Anbarit pjesëtarëve të armatës. Anbari është një nga provincat, që në të kaluarën ka përjetuar disa prej betejave më të ashpra mes kryengritësve dhe forcave ndërkombëtare. Presidenti amerikan, Barak Obama, ka urdhëruar tërheqjen e pjesës më të madhe të ushtarëve amerikanë deri më 31 gusht të këtij viti, me çrast pjesa më e madhe e ushtarëve amerikanë do të largohen nga Iraku pas zgjedhjeve të 7 marsit.
Ky lajm është publikuar: 24/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›