Milan-Inter Derbi i Madoninës sot, për të rihapur kampionatin
Autori i Lajmit: Redaksia
Milano - Sot në mbrëmje dy gjigantët e futbollit italian do të matin forcat në “San Siro”, në një sfidë që mund të rezultojë vendimtare për fatin e titullit kampion. Aktualisht, Interi ka gjashtë pikë më tepër se kuqezinjtë, por këta të fundit kanë një ndeshje më pak. Të dy ekipet vijnë në këtë sfidë me probleme dëmtimesh dhe gjithçka në lidhje me formacionet do të kuptohet vetëm në momentin e fundit. Zikaltrit janë pothuajse pa mesfushë, në pritje të lajmeve nga Stankoviç, Tiago Mota, Muntari dhe Kambiaso. Nga ana tjetër Leonardo nuk do të ketë në dispozicion brazilianin Pato dhe mesfushorin holandez Klarens Sedorf (por shpreson në riaftësimin në kohë të Alesandro Nestës). Në tre ndeshjet e kampionatit me fillimin e vitit të ri skuadra e Hoze Murinjos ka fituar dy herë me një gol diferencë (0-1 me Kievon dhe 4-3 me Sienën) dhe ka barazuar 2-2 me Barin, pasi u gjend fillimisht në dizavantazh të dy golave. E kundërta ka ndodhur me Milanin, që ka treguar një formë të jashtëzakonshme duke i fituar të tria sfidat në kampionat bindshëm dhe me rezultate të thella (Milan-Xhenova 5-2, Juventus-Milan 0-3, Milan-Siena 4-0). Tani le tu hedhim një vështrim shifrave që na ofron historia e “derbit të Madoninës” në vite. Ai i së dielës mbrëma është derbi numër 273 në total (200 në kampionat dhe në Kupë, 4 në Ligën e Kampionëve dhe 68 në raste të tjera). Në 272 sfidat e mëparshme, zikaltrit kanë dalë të fituar 94 herë, 71 ndeshje kanë përfunduar në barazim dhe 106 herë ka fituar Milani. 404 herë ka shënuar Interi në portën e “kushërinjve”, ndërkohë që ka pësuar 432 gola.
Nga totali i përballjeve, 204 prej tyre janë zyrtare. Këtu shifrat pothuajse janë në ekuilibër të plotë, pasi Interi ka fituar 71 herë, vetëm një herë më pak se kuqezinjtë, ndërkohë që 61 takime kanë përfunduar në “paqe”. Milani u ka shënuar rivalëve të përjetshëm 281 herë në ndeshjet zyrtare, kurse zikaltrit mbeten prapa me vetëm një gol. Nga 173 ndeshje në kampionat, Interi ka dalë triumfues në 63 prej tyre, 58 ka fituar Milani dhe 52 kanë përfunduar në barazim. 253-235 në favor të zikaltërve është golaverazhi në përballjet e kampionatit midis ekipeve nga Milano.
Trajnerët
Strategu i Milanit, Leonardo, thotë se rosonerët do të kërkojnë vetëm fitore në takimin e sotëm përballë Interit, por, sipas tij, pavarësisht rezultatit, derbi milanez nuk do ta vendosë sezonin. “Takimi i nesërm kundër Interit do të jetë një takim i jashtëzakonshëm, vetëm shihni pritjet të cilat i kanë të gjithë njerëzit që e ndjekin këtë ndeshje”. “Nuk mendoj se ky takim do të jetë vendimtar për sezonin, pasi ka edhe shumë të luhet deri në fund dhe Milani duhet ta luajë edhe ndeshjen e mbetur kundër Fiorentinës. Ne shkojmë në derbi për të fituar dhe nuk mund të mendoj për rezultat tjetër përveç fitores”,- ka shtuar braziliani. Në prag të takimit derbi përballë Milanit, trajneri i Interit, Jose Murinjo, thotë se ai do të jetë i kënaqur vetëm me fitore. “Cili është rezultat i mirë për mua? Vetëm fitorja, barazimi nuk do të më kënaqte”,- ka thënë Murinjo. “Ndoshta Milani luan me një filozofi më ndryshe se çka luajtur më herët, por ne nuk kemi ndryshuar asgjë”,- ka shtuar portugezi i pyetur për dallimet në mes dy ekipeve. Murinjos do ti mungojë sulmuesi Samuel Etoo, i cili është në detyrë me kombëtaren, por ai ka në përbërje të rikthyerit Ueslei Shnajder, Thiago Motta dhe Souley Mountari. Strategu i Interit po ashtu i ka dërguar një porosi trajnerit të kombëtares së Italisë, Marçelo Lipi, i cili refuzoi ta vizitojë qendrën stërvitore të nerazurëve, pasi kishte vizituar Milanin. “Ndoshta Lipi nuk dëshiron të vijë këtu, pasi ky vend i kujton periudhën më të keqe të karrierës së tij”,- ka thënë Murinjo, duke aluduar në periudhën kur Lipi u largua nga Interi pas vetëm një javë në sezonin e dytë, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve.
Ky lajm është publikuar: 24/01/2010