“Ju tregoj tre bizneset e Berishës”
Nga Ben Blushi
Unë kam respekt për këtë parlament dhe kjo është arsyeja që do t’u them të gjithëve të mos merren me Damir Fazlliç. Të mos merren me Damir Fazlliç sepse e konsideroj si një kuti këpucësh, që e mbajnë në përgjithësi hajdutët poshtë tavolinave të zyrës për ta mbushur me para. Dhe ky është ndryshimi mes Fazlliç si kuti këpucësh, kur në fakt këpuca është këtu prapa. I thashë këto për të thënë se besoj që Damir Fazlliç nuk është çështja, çështja është Sali Berisha. Nuk kemi kërkuar debat për t’u marrë me Damir Fazlliç, por kemi kërkuar debat për t’u marrë me kryeministrin e Shqipërisë. Në vitin 2005, filloi koha për të vjedhur, kronometri u shtyp për të vjedhur dhe vazhdon akoma. Kjo është arsyeja se pse Damiri erdhi në Shqipëri. Erdhi nga Bosnja në Shqipëri për të vjedhur, dhe pyetja ime është "pse nuk erdhi Damir Fazlliç para vitit 2005? Erdhi pas vitit 2005 për të vjedhur, sepse kjo mundësi u krijua pas vitit 2005. Dhe se kush e ftoi pas shtatorit të vitit 2005, është shumë e qartë. S’e kemi ftuar ne, e ka ftuar Sali Berisha. Sa erdhi në Shqipëri, gjëja e parë që bëri mori si avokate legale vajzën e kryeministrit ; e dyta, mori si administrator kunatin e ministrit. Kështu, Damiri lidhi kontratë legale me pronarët e bizneseve të veta. Damir Fazlliç nuk është pronar i bizneseve për të cilat akuzohet, pronarët janë këtu prapa, Damiri është kontraktor. Po marr një rast për t’ua provuar. Në përgjithësi e kanë stil këta, që kontraktojnë në mënyrë legale, ata të cilëve u japin biznes. Kështu ndodhi dhe në Gërdec. Ai ishte aty si kontraktor, për të provuar se pala tjetër në biznes nuk i vidhte fishekët, që shiste djali i kryeministrit dhe vetë kryeministri. Prandaj vdiq i ziu! Dhe kunati i Lulzim Bashës në fakt ka më shumë fat, se nuk po vdes, ndërkohë që ai i Gërdecit, vdiq ai! Është fakt i vërtetë që këta kontraktojnë në mënyrë legale. E dini ju kush janë tre biznese sot në Shqipëri që kanë xhiron më të madhe dhe bëjnë më shumë lekë me kontrabandë, apo pa kontrabandë? Po jua them: e para, janë armët; të dytat, janë ilaçet; të tretat, janë tokat. Këto janë tre bizneset më të mëdha sot në Shqipëri. Po i marr një për një. Kush merret me armët? Merret djali i kryeministrit dhe u provua në Gërdec! Kush merret me ilaçet? Merret mbesa e kryeministrit, pasi është drejtoreshë zyrtare e industrisë së ilaçeve. Kush merret me tokat? Merret dhëndri i kryeministrit, është drejtor legal i emëruar nga vjehrri i vet si administrator i tokave në bregdet. Të treja sot janë keq. Të treja me kosto të lartë. Por nuk është problemi këtu, se vjedh armë dhe i shet pa leje djali i kryeministrit. Nuk është vetëm kjo çështja, por çështja është se sa është fatura e kësaj llogarie. Çështja është sa është fatura pasi nuk janë vetëm 26 të vrarë, por qindra milionë euro dëmshpërblime që i paguan taksat, sepse djali i kryeministrit, përveçse i merr dhe i trafikon, lë dhe gjurmë pas kësaj. Kryeministri thotë që ju shpifni, thotë që ju shpifni dhe nuk u përgjigj sot për asgjë. Po ju pyes ju a shpifim ne që Damir Fazlliç është miku yt? Jo! E ke pohuar vetë! Shpifim ne që vajza jote është avokatja e tij legale? Jo! E ka pohuar vetë. Shpifim ne që kunati i Lulzim Bashës është administrator i Damir Fazlliç? Jo! E ka pranuar vetë.
4 Nentor 2008