OSBE-ja: LSI-ja duhet të ketë anëtarin e saj në KQZ dhe komisionet zonale të votimit
Misioni i OSBE-ODIHR-it reagon pas shqetësimit të shprehur nga Lëvizja Socialiste për Integrim rreth komplotit të përgatitur nga Rama-Berisha për heqjen e përfaqësuesve të LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe komisionet zonale. Ndërsa LSI-ja nisi dje protestën përballë selisë së OSBE-së, kreu i kësaj të fundit, Robert Bosch, ka dalë përballë protestuesve duke deklaruar: “OSBE-ja mbështet formulën aktuale të përbërjes së KQZ-së, pra 8+1 dhe LSI-ja duhet të ketë anëtarin e saj në këtë komision dhe në komisionet zonale të votimit”. Deklarata e Bosch ka ardhur pak minuta pas përfundimit të protestës së organizuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Lëvizja Rinore për Integrim. Pas zhvillimit të konventës së jashtëzakonshme të LSI-së në Pallatin e Kongreseve, drejtues dhe mijëra anëtarë të LSI-së dhe LRI-së u drejtuan drejt selisë së OSBE-ODIHR-it në një protestë paqësore.
Protestuesit mbanin banderola, ku shprehej rreziku që po i kanosej demokracisë shqiptare si dhe ku kërkohej ndihma e OSBE-ODIHR-it. Në krye të protestës ishte kreu i LSI-së Ilir Meta dhe drejtues të tjerë të LSI-së, PS 91-shit etj. Në momentet e fundit të protestës përpara protestuesve ka dalë kreu i misionit të OSBE-së, Robert Bosch. Bosch u është drejtuar protestuesve të LSI-së ku ka shprehur qëndrimin e OSBE-së se mbështet formulën aktuale të përbërjes së KQZ-së dhe se LSI-ja duhet të ketë përfaqësuesit e saj në këtë komision. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ranë dakord parimisht gjatë javës së kaluar për të sanksionuar në Kodin e ri Zgjedhor një formulë të re të përbërjes së KQZ-ve dhe komisioneve zonale të votimit. Sipas kësaj formule, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokristiane u mohohej e drejta për të patur përfaqësuesit e tyre në procesin e administrimit të votave.
4 Nentor 2008