E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ju zbuloj ofertat për talentet kuqezi"

Merkatoja e verës parashikohet e nxehtë, mbi të gjitha për një pjesë të kontingjentit të kombëtares. Menaxheri Sokol Haxhia zbulon ofertat për gjashtë lojtarë, interesat e të cilëve ai përfaqëson, duke filluar nga ata që tashmë janë të konfirmuar me fanellën kuqezi, deri te të rinjtë e talentuar. Në edicionin e ri, Ervin Bulku e Isli Hidi, mund të ndryshojnë skuadër: sezonin që sapo u mbyll ata luajtën në kampionatin ukrainas, ku mbrojtën ngjyrat e Krivbas Krivji Rig dhe paraqitjet e mira kanë bërë që ofertat të mos mungojnë. Lëvizje të rëndësishme pritet të ketë edhe për lojtarët me perspektivë Andi Lila, Jahmir Hyka, Elis Bakaj e Gilman Lika, që duket se do të largohen nga Kategoria Superiore, për të vazhduar karrierën jashtë Shqipërisë.

Vetëm pak ditë më parë, menaxheri shqiptar i FIFA-s ka mbyllur një transferim të rëndësishëm, të një tjetër lojtari të përfaqësueses. Bëhet fjalë për Klodian Duron, që menjëherë pas mbylljes së kampionatit me Tiranën (ku ishte i pezulluar pas finales së Kupës së humbur me Vllazninë) ka firmosur me qipriotët e Omonias. Tashmë, Haxhia po punon për të transferuar në ishullin ku militojnë edhe Altin Haxhi e Arjan Beqajn dyshen Hidi-Bulku. "Pasi përfunduam kalimin e Duros tek Omonia, tashmë nga kampionati qipriot interesohen për portierin Isli Hidi (klubi i AEL Limasol) dhe mesfushorin Ervin Bulkun. Për këtë të fundit mund të them se në garë është futur një prej klubeve më të njohura të Qipros, i cili dëshiron ta afrojë në kontingjentin e tij", tha menaxheri. Ai ka treguar edhe destinacionet e mundshme të lojtarëve të rinj, duke cituar vetëm kampionatet ku ata mund të luajnë dhe jo emrat konkretë të skuadrave. "Emrat? Shikoni, unë jam i lidhur me menaxherë nga shumë vende të ndryshme, të cilët më paraqesin interesin që skuadra të ndryshme evropiane kanë për lojtarët shqiptarë. Momentalisht gjithçka është në fazat fillestare dhe as ata (kolegët menaxherë) nuk preferojnë të flasin me emra konkretë", saktësoi fillimisht Haxhia. "Për lojtarët e rinj mund të them se (Jahmir) Hyka kërkohet në Izrael, Sioni në Zvicër dëshiron të blejë (Gilman) Likën. Afro tre muaj më parë, këtij klubi i kam dorëzuar disa pamje filmike të lojtarit të Vllaznisë dhe drejtuesit e klubit e kanë pëlqyer mjaft lojën e tij. Andi (Lila) pëlqehet mjaft në Ukrainë, por me vëmendje atë po e ndjekin edhe në Qipro. Interesim ukrainas ka edhe për Elis Bakajn. Këtu dëshiroj të saktësoj edhe diçka për çështjen e provës te Verder Bremeni, për të cilën mund të them se nuk është e saktë. Klubit gjerman i janë paraqitur vetëm disa DVD të ndeshjeve të mesfushorit, por kjo nuk do të thotë se ‘drita jeshile‘ për të zhvilluar një provë është e përfunduar. Të jemi realistë, është e vështirë të kalosh nga Partizani te Verderi, pasi më parë futbollisti duhet të konfirmohet në kampionate disi më të lehta. Nuk është e drejtë që të rinjtë (në këtë rast Bakaj), të ushqehen me shpresa të tilla. Shikoni rastin e Erjon Bogdanit, që përpara transferimit në Itali ka luajtur në Kroaci". Duke qëndruar në temën "Bogdani", Haxhia ka saktësuar se pas aventurës me Livornon, sipas gjasave sulmuesi kuqezi do të rikthehet te Kievo Verona, me të cilën ka edhe dy vjet kontratë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›