E Shtunë, 31 Tetor 2026

Under-19, "Elite Raund" fillon me humbje

Kombëtarja U-19 e Shqipërisë e fillon me hap fals "Elite Raund", ku për eliminatoret e Evropianit të kësaj moshe ndodhet në Grupin 4 së bashku me Sllovakinë, Kroacinë dhe Gjermaninë. Këta të fundit ishin edhe kundërshtarët e parë të kuqezinjve të drejtuar nga Ramadan Shehu, në takimin e luajtur në stadiumin "Slovan Duslo Sala", të qytetit sllovak, Sala. 2-0 ishte rezultati final i takimit që i ka dhënë një fitore mjaft të vlefshme gjermanëve, të cilët duke përfituar edhe nga barazimi 1-1 ndërmjet Sllovakisë dhe Kroacisë kanë marrë drejtimin e grupit. Të besuarit e teknikut Shehu kanë rezistuar vetëm gjashtë minuta. Kaq i ka mjaftuar kundërshtarëve të drejtuar nga Horst Hrubesh që të shënojnë golin e parë në portën shqiptare, me Semih Ajdilek, i cili ka devijuar saktësisht krosin e Timo Genhart. Gjermanët dyfishuan shifrat në të 37-tën, me Denis Diekmajer, i cili ka realizuar një supergol nga 25 metra distancë. Pak çaste përpara pushimit mes pjesëve, Diekmajer kishte shansin të shënonte edhe golin e tretë, nga pika e 11-metrave, por ai nuk ka mundur të kalojë portierin Sulejman Hoxha. Në pjesën e dytë, kundërshtarët janë përqendruar më shumë tek administrimi i rezultatit dhe ruajtja e forcave për ndeshjen e radhës, që do të luajnë nesër kundër Kroacisë. Ndërkohë, kundërshtari i radhës i 19-vjeçarëve shqiptarë janë vendasit e Sllovakisë.

Takimi i djeshëm Gjermani-Shqipëri është ndjekur nga një numër i madh menaxherësh dhe zbulues talentesh të klubeve të Bundesligës. Menaxheri Rudi Vata ka bërë të ditur se përfaqësues të Bajer Leverkusenit, Eintraht Frankfurtit, Hamburgut e Hansa Rostok kanë qenë të pranishëm në kërkim të evidentimit të talenteve të reja dhe duket se notat më pozitive janë dhënë për portierin e Erzenit, Hoxha. "Ishte me personalitet dhe më i miri nga grupi i lojtarëve shqiptarë. Po të mos kishte qenë ai (Hoxha) në një ditë shumë të mirë, Shqipëria mund të kishte pësuar edhe pesë gola. Tregoi profesionalizëm dhe loja e tij u vlerësua nga të gjithë skautët e pranishëm. Shumë i qetë dhe për 90 minuta thuajse nuk bëri asnjë gabim me peshë. Edhe në pësimin e golave nuk kishte faj", ishin fjalët e Vatës për "albania-sport". Ndërsa për lojën ai tha: "Skuadra e trajnerit Shehu tregoi më shumë respekt nga ç‘duhej për Gjermaninë, duke u ndjerë pa dashje edhe inferiore, ndërkohë, me atë që skuadra shfaqi në momente të caktuara mund të kishte rrezikuar edhe më shumë. M‘u kujtuan vitet e mia në futbollin e viteve 1990, kur gjithmonë niseshim si inferiorë përballë kundërshtarëve me emër të madh".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›