E Diel, 1 Nëntor 2026

Jubileu Magjia e Cirkut vazhdon dhe gjysëm shekulli më pas…

Autori i Lajmit: Redaksia
Nëntori i vitit 1959 shënon lindjen e Cirkut Shqiptar me shfaqjen “Shkopi magjik”, ku dalloheshin artistët Ali Duma, Telat Agolli, Skender Plasari, Vitore Rasha, Bajram Kurti, Arjan Miluka, Pineu Shkurti. Regjia u realizua nga Mihallaq Luarasi me një program i cili u vlerësua inkurajuese nga publiku. Specializimet e mëtejshme në Kinë mundësuan konsolidimin e kapaciteteve të grupit të akrobatëve duke ofruar rrugë të reja në zhvillimin e cirkut shqiptarë. Sot pas 50 vjetësh cirku vazhdon të joshë publikun me numrat e larmishëm që ofron duke filluar nga numrat akrobatike, ekuilibrit, numrat e ajrit, zhonglerët, kllounata etj. Duke vlerësuar kontributin e të gjithë artistëve, mjeshtrave të profileve të ndryshëm dhe duke ndjekur hopet cilësore të zhvillimeve të reja në arenën e cirkut Qendra Metropolitane do të bëhet për dy ditë,në datat 10 dhe 11 dhjetor, një arenë e vërtetë e shkëmbimeve artistike. Për të festuar 50-vjetorin e Cirkut Shqiptarë do të mbahen sesione shkencore, ekspozita fotografike, do të dekorohen artistët që kanë lënë gjurmë në historinë e gjatë të cirkut të vetëm ballkanik. Sesioni shkencor do të mbahet nga Kujtim Dumi, Fatos Roshi dhe Pavllo Sallata në studimet e të cilëve do të trajtohet ecuria e cirkut në varësinë bashkiake dhe perspektiva e tij, periudha e tranzicionit të cirkut dhe përshtatja me sistemin e ri. Ky moment i rëndësishëm i këtij përvjetori na jep mundësinë të shohim edhe përballjen me përvojat e artistëve të cirkut jashtë vendit. Ekspozita fotografike do të sjellë stendat e prezantuara në arenën e cirkut në ciklet : “Fillimet e Cirkut”, “Zhvillimi në gjirin e Estradës”, “Aktiviteti në Çadër 76-90” dhe “Cirku pas viteve 90”.
Duke iu rikthyer premierës së parë “Shkopi magjik” shfaqja “Magjia e Cirkut Vazhdon”, e cila do të jetë finalizimi i dy ditëve të mbushura me aktivitete të larmishme me rastin e 50-vjetorit të Cirkut, do të mbledhë forcat më të mira krijuese të këtij institucioni. Në këtë shfaqje do të risillen disa nga numrat më të realizuar dhe me shkallë më të lartë rreziku si numrat “Shkalla në Ekuilibër”, “Vertikale me rrëshqitje”, “Bambuja” etj. Kjo shfaqje përveç artistëve me përvojë si: Fitnete Duro, Kujtim Dumi, Fatos Alla, Sokrat Buzo, Pranvera Sallata, do të prezantojë edhe emrat premtues të cirkut të sotëm si: Manushaqe Mullai, Stela Blloshmi, Erando Jucja, Xhejms Kodra, Juxhina madhi, Rubin Zuna, Klaudia Duro etj. Regjia e shfaqjes do të realizohet Kiço Londo, në një konceptim modern të ndërthurur me traditën, efekte special dhe shumë surpriza të tjera që do të mund ti zbuloni në datën 11 dhjetor 2009.

Ky lajm është publikuar: 27/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›