E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit: “Qeveria, na ka borxh 70 milionë euro”

Autori i Lajmit: Redaksia
Ndërtuesit denoncojnë publikisht qeverinë se nuk i ka paguar për rrugët që ndërtuan në fushatën elektorale. “Institucionet kanë një detyrim të kontraktuar të papaguar që arrin mbi 70 milionë euro. Janë projekte të mëdha të ndërtuara me shpejtësi këtë vit gjatë fushatës elektorale”, u shpreh Maksim Muçi, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve. Shoqata thotë se borxhet e qeverisë po i zhysin në një situatë të rëndë financiare, dhe disa prej shoqërive rrezikojnë falimentimin. “Këto shoqëri po falimentojnë në kushtet kur kanë marrë një kredi me interes të lartë për të përballuar ritmin e krahut të punës së kërkuar. Është krijuar një zinxhir detyrimesh të pashlyera që çon në dëmtimin e ambientit”, u shpreh Muçi. Qeveria realizoi këtë vit vëllimin më të madh të investimeve publike rreth 100.5 miliardëë lekë, kryesisht të përqendruara në gjysmën e parë të vitit, gjatë periudhës së fushatës elektorale, në një kohë kur të ardhurat që ka mbledhura nga taksat janë mbi 250 milionë dollarë më pak se plani. Shoqata e ndërtuesve kërkon nga qeveria zgjidhjen e menjëhershme të këtij problemi, i cili është shoqëruar edhe me shkurtime masive nga puna.
Ndërtimi i rrugëve ka qenë dhe mbetet prioritet i Qeverisë, madje kjo strategji u përdor edhe në fushatë elektorale. Në Buxhetin 2010, infrastruktura mbetet sërish një sektor parësor, duke marrë sërish “pjesën e luanit” të fondeve që parashikohen për investime publike. Këto fonde do të jenë në një total investimesh prej 9 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Projektet kryesore të parashikuara janë rruga e “Arbrit”, rruga Elbasan-Tiranë, “Boshti i Jugut” etj. Drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve kanë deklaruar se ka vonesa në projektet me financim të huaj, për shkak të problemeve me shpronësimet. Ndërkohë edhe vitin që vjen rruga Rrëshen-Kalimash pritet të marrë edhe 6 miliardë lekë të tjera me gjithë se vetëm në vitin 2009 ajo shpenzoi edhe 40 miliardë lekë të tjera.

Transportet

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit do të përfitojë pjesën më të madhe të fondeve të parashikuara për investime publike. Kështu, ajo do të përfitojë 47 miliardë lekë ose rreth 55 për qind të totalit të investimeve publike. Në projektbuxhetin 2010 parashikohet që 68 për qind e investimeve publike për këtë ministri të jenë investime me financim të brendshëm. Në buxhetin e kësaj ministrie, zëri “Ndërtim rrugësh”, kap edhe pjesën më të madhe të financimeve nga të gjithë sektorët e tjerë. Parashikohen të investohen gati 40 miliardë lekë vetëm në akset nacionale nga 45 miliardë lekë që është fondi në total për të gjitha rrugët. Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Financave, ndër objektivat për vitin 2010 janë ndërtimi dhe rehabilitimi i 156 km rrugë të rrjetit kombëtar me dy dhe katër korsi si: Kukës-Morinë, Bulqizë-Bllatë-Ura e Cerenecit, Leskovik-Tri Urat, Levan-Vlorë, Ura e Shkodrës-Fushë-Arrës, etj.

Investimet

Në vitin që vjen gjithashtu parashikohen investime për sistemim, asfaltim dhe riveshje të rreth 217 km rrugë si: Dardhë-Ura e Drinit, Bajram Curri-Has, rruga e Voskopojës, Traget-Fierzë, Kuçovë-Belsh-Cërrik etj. Por Ministria e Financave përveç shumës së programuar në projektbuxhet për zërin “investime në infrastrukturën rrugore”, ka parashikuar që për të plotësuar mangësitë në këto investime të përdorë edhe fondin rezervë që shkon në rreth 50 milionë dollarë.

Ky lajm është publikuar: 27/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›