E Diel, 1 Nëntor 2026

Juela Meçani: Pse ika si zëdhënëse e Berishës. Unë deputete? Pse jo...

TIRANE - Deri të martën e kësaj jave, gjithçka dija për Juela Meçanin mbetej brenda kontureve të një CV-je sipërfaqësore dhe ndonjë interviste të lexuar tek-tuk në media, duke qenë se edhe këto kanë qenë të rralla për të. Por, pas takimit të së martës, përveç të rejave që mësova nga jeta e saj, - e cila është e mbushur me shumë pasione e dashuri për punën dhe njerëzit që e rrethojnë, - forcova bindjen time të hershme se kur gjatë intervistës ke përballë një gazetar, biseda bëhet më e thjeshtë, më e natyrshme dhe pa ngërçe. Madje edhe kërkesa e vetme e Juelës për të mos prekur divorcin e para pak muajve gjatë intervistës, kur u vu përballë argumenteve të saj të forta, u pranua direkt prej meje (ndonëse ajo kish qenë një nga shtyllat mbi të cilat mendoja të ndërtoja intervistën). “Kam një vajzë që është ende minorene dhe s’dua të ngarkohet me këto gjëra, të paktën për momentin. Për pjesën tjetër më pyet sa të duash”, - thotë ajo duke më bërë që të ndryshoj komplet skaletën e pyetjeve. Gjë, që më doli më për mirë. Përmes kësaj interviste do të mësoni gjithçka s’dini për jetën e gruas së bukur (dhe jo vetëm) të politikës. Që nga fëmijëria me pasionet dhe lojërat e asaj kohe tek pjesëmarrja në Miss dhe arsyeja se pse nuk vazhdoi të merret me modë. Gazetaria dhe ndikimi që kanë pasur prindërit në jetën e saj. Puna e parë në televizion dhe emigrimi në Itali.Angazhimi serioz që pati atje dhe rikthimi në Shqipëri, për të marrë përsipër një rol të rëndësishëm. Për t’u bërë zëdhënëse e Kryeministrit të vendit. Puna përkrah kreut të Ekzekutivit dhe largimi. Ministria dhe e vërteta për skandalin, në të cilin përfshihej edhe emri i saj. Politika dhe PD-ja. Sfidat me të cilat përballet çdo ditë e vetme, si nënë, si grua dhe planet për t’iu rikthyer gazetarisë intensive. Marrëdhënia me vajzën dhe punët e shtëpisë. Pushimet dhe librat. Muzika dhe poezia, në të cilën shumë shpejt do të kemi të reja. “Kënga e detit” po vjen. E nëse mendoni se jemi mjaftuar me kaq, e keni gabim. Juela Meçani ka shumë më shumë për të rrëfyer. Një botë më vete në të cilën ju ftojmë (fton) të hyni sot edhe ju.
Juela, do të kthehemi pas në kohë dhe do të ndalojmë tek fëmijëria juaj. Si ka qenë ajo?
Fëmijëria ime ka qenë një bazë e fortë e asaj që unë jam, e formimit tim. Ka qenë shumë e bukur dhe shumë e larmishme. Duke qenë vajzë e vetme për 9 vite, unë kam qenë e përkëdhelura e familjes dhe prindërit e mi janë marrë shumë me edukimin dhe argëtimin tim, lexoja shumë, veshjet nëna ime m’i qepte me porosi, kam ndjekur rregullisht kurset e recitimit, këngës dhe muzikës në Pallatin e Pionierëve, kam studiuar shumë vite për violinë...dhe mbi të gjitha, kam shëtitur nëpër mbarë Shqipërinë. Kjo falë edhe profesionit të dy prindërve të mi, të cilët punonin në RTSH.
Një fëmijëri e mbushur me pasione. Cili prej tyre dominoi tek ju?
Pasioni që dominoi jetën time dhe e dominon edhe sot është të shkruaj poezi dhe muzika. Poezia është një mikeshë e shtrenjtë dhe nuk më lë kurrë vetëm, në kohë të mira e të vështira më shoqëron pa më pyetur për asgjë (buzëqesh).
Po lojërat e preferuara të fëmijërisë mund të na i kujtoni?
Unë luaja volejboll sepse isha e gjatë, nuk më kanë pëlqyer asnjëherë kukullat apo lojërat tipike femërore, rrija më shumë me çunat e lagjes dhe më tërhiqnin më shumë lojërat mashkullore, kjo gjë ka ndikuar mendoj edhe në karakterin tim.
(intervisten e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›