E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i mundshëm i asgjësimit nuk do të apelohet nga PS

Fletët e votimit

Edhe pse një skenar problematik, djegia e fletëve të votimit është qoftë edhe sipas ligjit një mundësi reale e zhvillimit të ngjarjeve që kanë të bëjnë me kauzën e Partisë Socialiste. Si e tillë, ajo ka gjasë të zhvillohet në vjeshtë, duke neglizhuar paralajmërimet e forta të Partisë Socialiste, e cila e ka cilësuar një akt të tillë si destabilizues. Megjithatë, përderisa teknikisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka shumicën e duhur për të vënë në lëvizje mekanizmin që do të mbyllte shpresën e transparencës së 28 qershorit 2009, sipas pretendimeve opozitare, me interes mbetet për t’u kuptuar apo parashikuar reagimi i PS-së në një rast të tillë. Pavarësisht se qëndrimet e formuluara për një “shkëputje të marrëdhënieve me Parlamentin dhe qeverinë” kanë interes politik, ato sërish janë të ndërlidhura me aspektin ligjor dhe juridik të procesit që qëndron në këtë pikë, pikërisht për shkak të alibisë së fortë të PD-së. Pyetja që shtrohet në këtë rast, është se cila do të jetë procedura ligjore që do të ndjekë PS-ja në një eventualitet të vendimit të KQZ-së për asgjësim të fletëve të votimit. Sipas burimeve nga grupi parlamentar i saj, një akt i këtillë i institucionit të drejtuar nga Arben Ristani, nuk do të ankimohej në Kolegjin Zgjedhor nga ana e selisë rozë. Me më shumë interes janë arsyet e këtij qëndrimi “pasiv”, “ankimimi nuk do të kishte vlerë, pasi vendimi i mundshëm i KQZ-së për asgjësimin e fletëve bazohet në ligj”, u shprehën burimet nga selia rozë. Ky mosveprim i PS-së në këtë rast do t’i jepte të drejtë shumicës për të rikonfirmuar drejtësinë e qëndrimeve të veta, pasi në të kundërt apelimi nga PS-ja nuk do të mungonte, pavarësisht rezervave ndaj Kolegjit. Ajo që i jep rëndësi këtij momenti është fakti se përkundrejt një akti për asgjësim të fletëve, reagimi i PS-së është i pashmangshëm, porse në këtë rast, sikurse përgjatë gjithë kësaj kohe, ai do të detyrohet të plotësohet me argumente juridike. Si të thuash, ndaj një akti administrativ dhe thellësisht teknik, nuk ka gjasa që reagimi të jetë vetëm dhe thellësisht politik. Paradoksale bëhet situata edhe nëse PS-ja do të zgjidhte ankimimin, i cili edhe nëse mund të sillte ngrirjen e ekzekutimit të vendimit për asgjësim, do të prodhonte karta shtesë për shumicën, e cila ka mundësi të shohë te ky akt vlerën e mohuar të gjykatave. Gjithsesi, referuar deklarimeve të mësipërme, gjasat janë që fati i fletëve të votimit dhe për rrjedhojë i transparencës së 28 qershorit 2009, do të zgjidhet nga diskutimi politik mes palëve, që ende nuk po jep asnjë produkt. Ngritja e komisionit hetimor, i cili mund të kërkonte vënie në dispozicion të materialit zgjedhor nga KQZ-ja është e vetmja pikë konsensusi mes palëve që mbetet ende i pakonkretizuar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›