Thaçi: Më sovranë, më pak mbikëqyrje
‘Kosova ka stabilizuar institucionet dhe ka filluar reforma të mëdha në përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian. 69 shtete na kanë njohur, deri më tani. Jemi anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe së shpejti do jemi anëtare e Bankës Europiane për Zhvillim. Kemi implementuar 90 për qind të Planit të Ahtisaarit dhe kemi krijuar një vend demokratik dhe multietnik: Pjesëmarrja rekord e serbëve në zgjedhjet e fundit komunale është një gjë që kohë më parë nuk do mund të mendohej’, thekson kryeministri Thaçi në një intervistë për gazetën gjermane ‘Die Welt’.
Sa i përket mendimit të GJND-së, Thaçi thotë se “për Kosovën dhe gjithë rajonin tani ka filluar një kapitull i ri”. Sipas tij, vende si Greqia ose Spanja, që kishin thënë se do presin vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, tani duhet të marrin vendime.
Pasi ka renditur arritjet e shtetit të ri, Kryeministri i Kosovës ka përmendur Mitrovicën Veriore si sfidën kryesore. Edhe pse e rendit të parën ndër gjërat e parealizuara, Thaçi thotë se “pas dhjetë vitesh, për herë të parë, në këtë pjesë kemi hapur një zyrë kontaktuese të Republikës së Kosovës. Shumë shpejt gjykata do të fillojë punën”.
Thaçi është përgjigjur në intervistën e tij edhe për hetimet ndaj zyrtarëve të qeverisë. “Krenohem që nën qeverisjen time, me ndihmën e EULEX-it, më në fund ka filluar lufta kundër korrupsionit”, tha Thaçi për këtë çështje.
Sa i përket rigjykimit të Ramush Haradinajt në Hagë, Kryeministri i Kosovës e konsideroi luftën e UçK-së të justifikuar dhe tha se beson në pafajësinë e Haradinajt.
Në përfundim të intervistës për “Die Welt”, kreu i qeverisë së Prishtinës tha se Kosova po bëhet një shtet më sovran dhe duhet të veprojë me më pak mbikëqyrje. “Në këtë proces do të na ndihmojnë institucionet ndërkombëtare siç bën EULEX – por të cilat do kenë një rol këshillëdhënës”, tha Thaçi.
#