Formulari A2, dorëzimet shtyhen deri më 6 gusht
Provimi i maturës shtetërore u zhvillua më 30 qershor. Në datën 16 korrik u publikuan zyrtarisht në letër të printuar dhe në versionin elektronik listat e rezultateve. Dhe vetëm dje, më datë 30 korrik, një muaj me vonesë, është pranuar se specialistët që vlerësuan dhe korrigjuan tezën kanë pasur probleme dhe janë ndeshur me shqetësimin e provimeve me përgjigje të njëjta.
Gjatë këtij muaji, askush nuk ka dalë zyrtarisht si përfaqësues i dikasterit dhe i sektorëve që menaxhuan e administruan procesin e maturës shtetërore, për të pohuar faktin, si dhe për të dhënë sqarime lidhur me këtë “avari”. Madje përgjigjet e dhëna ditë pas dite për “komunitete” të vogla nxënësish, janë publikuar vetëm në variantin e printuar, në dyert e shkollave të mesme.
Nga ana tjetër, edhe pse maturantët kanë protestuar dy ditë më parë për një përgjigje se çfarë po ndodh, askush nuk i ka pritur për t’u dhënë një përgjigje, qoftë edhe për t’u “tërhequr” veshin për gabimin e kopjimeve kolektive, faktor që ka sjellë edhe ngadalësimin e korrigjimit. Por procesi i korrigjimeve është “vajosur” dhe është zbutur me “balsamin” e kontrolleve të dyfishta e trefishta. Dita-ditës përgjigjet janë duke u dërguar pranë shkollave të ndryshme. Sigurisht jo në versionin elektronik. Pavarësisht problemeve, të paktën një lajm i mirë është konfirmuar edhe nga arsimi. Afati i dorëzimit të formularit A2 të plotësuar në çdo pjesë të tij do të jetë data 6 gusht, të premten e ardhshme. Kështu, edhe kopjacët do të kenë një mundësi për të konkurruar, pavarësisht penalizimeve që do të marrin.
Përgjigjet e provimeve të maturës shtetërore janë vonuar për më shumë se dy javë në shumë shkolla të vendit, duke krijuar një situatë tensioni mes të rinjve që presin të mësojnë rezultatet dhe të plotësojnë formularin A2, për të konkurruar në universitete.
Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit thonë se shkak i vonesës ka qenë fakti se në shumë raste ata kanë siguruar prova për kopjimin masiv të nxënësve, ndaj dhe kjo ka krijuar një vonesë në procesin e menaxhimit të korrigjimit dhe shpalljes së vlerësimeve për dhjetëra maturantë. Provimet e maturës shtetërore nuk janë administruar mirë nga mësuesit në të paktën 20 shkolla, ku është konstatuar se një pjesë e madhe e maturantëve kanë kopjuar. “Në provime dyshohet për kopjime dhe gjatë kontrollit këto janë verifikuar. Pavarësisht se këto shkolla kanë mijëra nxënës, jo të gjithë dyshohen për kopjim”, ka deklaruar drejtori i Agjencisë së Pranimit Rezultateve Institucioneve në Arsimin e Lartë, Arben Fagu. Mësohet se nuk flitet për përpjekje individuale të nxënësve për të kopjuar, por për shpërndarjen e tezës në mënyrë të organizuar nga mësuesit që duhej të mbikëqyrnin provimin. “Janë raste si Fieri, Elbasani e Pogradeci, ku më shumë përgjegjësi kanë mësuesit.
Natyrisht në këto shkolla do të merren masa”, ka shtuar Fagu. Drejtori sqaron se ka ende disa dhjetëra maturantë për të cilët nuk është dhënë rezultati, pasi janë konstatuar probleme në sekretimin e testit dhe probleme të tjera teknike.
#