Juliana Pasha: “It’s all about you” dhe loja politike e Eurosong-ut
Festivali Evropian i Këngës - Eurosong, vazhdon të mbetët ëndërr e shumë këngëtarëve të cilët e cilësojnë atë si kulminacion të arritjes në karrierë. Emocionin të cilin e dhuron skena gjigante e Eurosong-ut më së miri përshkruhet nga ata të cilët e përjetojnë një gjë të tillë, ndonëse edhe teleshikuesit që e përcjellin atë nga ekranet televizive jo më pak e ndjejnë emocionin e garimit. Shqipëria vazhdon të mbetet përfaqësuesja e vetme për shqiptarët në Eurosong, ndonëse Republika e Kosovës akoma nuk e ka fituar të drejtën e pjesëmarrjes nga EBU. Juliana Pasha ishte këngëtarja e cila këtë vit dhurojë shpresën më të madhe për një pozitë konkurruese në Eurosong, duke u cilësuar me këtë rast favorite kryesore për Top10. Megjithatë loja e Eurosong-ut vazhdon të mbetet e njëjta,votimi i politizuar, ku shtetet u japin pikë njëra-tjetrës në bazë të interesave fqinjësore e politike, bënë që edhe konkurrenca reale të merrte kahje të kundërt. Në një intervistë ekskluzive për ZHURNAL, përfaqësuesja e sivjetme e Shqipërisë në Eurosong Juliana Pasha, rrëfen shumë gjëra interesante të cilat i përjetoi gjatë qëndrimit në shtetin nikoqir të Eurosong, Oslo.
Juliana, në mënyrën më të mirë përfaqësuat shtetin shqiptar në Euro Song 2010. Na tregoni cila ishte ajo ndjenjë të interpretosh në një skenë gjigante dhe para një publiku aq të madh ?
Përveçse një emocioni të madh që të japin skenat gjigande ishte ndjenja e krenarisë për përfaqësimin e vendit tim. Jam ndjerë tepër e emocionuar teksa këndoja dhe shihja flamurë shqiptarë të valviteshin kudo.
Gjatë provave stafi i Euro Song paralelisht organizon edhe press konferenca. Si shkuan paraqitjet e juaja para gazetarëve, dhe cilat ishin pyetjet më të shpeshta që u janë bërë gjatë qëndrimit në Oslo ?
Mediat na kanë pritur mjaft mirë, pati nga ata gazetarë siç ishte rasti i një gazetari të ESC Daily që e pëlqeu aq shumë këngen tonë sa mbante në dorë flamurin shqiptar gjatë gjithë shfaqjes. Pyetjet kanë qenë nga më të ndryshmet ndaj nuk di kë të veçojë si më të kërkuarën.
Kënga “It’s all about you” është komentuar shumë, si në facebook, You Tube, etj. Çfarë mendoni, a është cilësuar edhe në Oslo si këngë favorite ?
Në Oslo kënga u cilësua si favorite që prej provës së parë. Gazetarët e shihnin këngën pjesë të Top 10.
Megjithatë votimi në Euro Song pak a shumë ndryshon edhe kahjen e festivalit. A pajtoheni me faktin se pjesa finale ku votojn shtetet për njëra-tjetren është plotësisht politike ?
Për fat të keq ky vit e vërtetoi edhe më shumë këtë mënyrë votimi ndonëse ne kishim shpresuar se do të ishte ndryshe.
Megjithatë fitoria më e madhe padyshim mbetet futja e Shqipërisë në finale të Eurosong. Si u ndjetë në çastin kur u përmend “Albania” ?
Kam qenë shumë e emocionuar jo vetëm unë por edhe Arditi, bashkëshorti im Altini dhe e gjithë pjesa tjetër e stafit. Hyrja e këngës në finale ishte një nga momentet më të bukura në Eurosong.
Gjatë viteve të kaluara ka pasur kritika të vazhdueshme se këngët pjesëmarrëse që dërgon Shqipëria në Eurosong, nuk ishin të promovuara aq sa duhet, ashtu si i promovonin shtetet e tjera pjesëmarrëse. Sa e kënaqur jeni me promovimin e këngës që RTSH ka bërë këtë herë ?
Jam shumë e kënaqur pasi është bërë vërtet një punë e mrekullueshme nga RTSH dhe rezultatet duken që në klikimet e shumta dhe komentet pozitive që kënga vazhdon të ketë.
Flasim për qëndrimin tuaj në Oslo. Cila ishte eksperienca që përjetuat gjatë ditëve sa kaluat me delegacionin tuaj dhe me pjesëmarrësit e tjerë të Eurosong ?
Janë kujtime të mrekullueshme që do mbeten gjatë në kujtesen time. Ja kam kaluar shumë mirë pasi kisha një grup të mrekullueshëm pune që gjejë rastin ti falënderoj me gjithë zemer duke filluar nga Ardit Gjebrea, Piro Cako, Shpetim Saraçi etj për punën që kanë bërë. Dhe jo vetëm kaq, po dua të falënderoj dhe të gjithë ata bashkëatdhetarë që na kanë pritur me shumë dashuri dhe janë kujdesur që ne t'ia kalonim sa më bukur në Oslo.
Sa kohë dhe sa mundësi kishit të shoqëroheni me pjesmarrësit e Eurosong në Oslo, njëkohësisht edhe me përfaqësuesen e Gjermanisë, Lena ?
Kam patur rastin të njihem dhe të krijoja miqësi me shumë prej pjesmarrësve në Eurosong, duke përmendur këtu përfaqësuesit e Porugalisë, Izraelit, Uk, Island, Macedonia, etj, dhe sigurisht edhe me fituesen e Gjermanisë, Lena.
A mendoni se Gjermania e ka merituar fitoren në Eurosong këtë vit ?
Unë mendoj se ky ishte një vit me shumë këngë të bukura dhe me këngëtarë të shkëlqyer. Konkurrenca ishte mjaft e fortë dhe nuk dijë se kujt t'ia vijë gishtin si fitues. Por kënga gjermane pati mjaft avantazh që në fillim duke qenë se ishte një nga këngët më të klikuara në internet.
Kush ishte favoriti juaj. Kënga që ndoshta ju e keni cilësuar si konkurrentë të dënjë ?
Kisha shumë kengë që i kam pëlqyer si Ukraina, Islanda, Belgjika etj, prandaj nuk di kë të veçojë prej tyre.
Cila ishte pritja që bashkëvendasit tuaj ju bënë pas kthimit nga Oslo ?
Jam lumturuar shumë kur kam arritur në Tiranë pasi të afërm, miq apo dhe njerëz të thjeshtë në rrugë më uruan dhe falënderuan për përfaqësimin në Eurosong. Mesazhe të shumta urimi kam marrë në Facebook, gjithashtu edhe vazhdojnë ende të vijnë. I falënderoj të gjithë.
Pas Eurosong-ut, çfarë po bënë Jualiana aktualisht, ju keni qasur punës, apo ndoshta mendoni të pushoni një kohë ?
Pas disa ditëve pushimi në qytetin e bukur të Vlorës kam filluar menjëherë punën.
Kur pritet albumi juaj i radhës, është dhurata më e bukur që përkrahësit dhe adhuruesit tuaj presin ta kenë në dorë ?
Jam duke punuar për albumin të cilin mendoj të jetë në shqip dhe anglisht, dhe nëse punët do të ecin mirë do të dalë në fillim të tetorit.
Për sa i përket mbrëmjeve të ndryshme muzikore, sa do jeni e angazhuar gjatë kësaj vere ?
Do të jem shumë e angazhuar dhe në dashtë Zoti do të jem edhe në Kosovë me koncerte.
Po për pushimet verore, keni ndonjë plan konkretë ?
Ende jo por nëse do të pushoj këtë verë do të shkoj në Spanjë pasi kam dëgjuar që kënga atje tashmë është një hit veror ndaj dua ti shijoj pushimet duke dëgjuar “It's all about you”.
Juliana ne ju falenderojmë nga zemra, për emocionet që na dhuruat gjatë paraqitjes tuaj në Eurosong, ju urojmë suksese dhe gjitha të mirat në jetë ?
Faleminderit per mbështetjen tuaj dhe gjithë fansave të mijë. Suksese gjithë stafit të Portalit ZHURNAL për punën e mrekullueshme që po e bënë.
Nga Rajan Arapi
24 Qershor 2010