E Diel, 1 Nëntor 2026

Juliana Pasha: Çuam atmosferë shqiptare në Eurovizion

Këngëtarja shqiptare, Juliana Pasha, e cila përfaqëson vendin tonë në Festivalin Europian të Këngës, që këtë vit zhvillohet në Oslo të Norvegjisë, do të ngjitet e 15-a natën finale në skenë. Në këtë përballje me kolegët europianë, ajo do të përfaqësohet me këngën “Nuk mundem pa ty”. Në një intervistë për “Shqip”, Juliana Pasha tregon emocionet e kualifikimit në finale

Pjesëmarrjen në Festivalin Europian të Këngës ajo e ka konsideruar si momentin më të bukur të jetës së saj. Skena është shumë e rëndësishme për një këngëtare si Juliana Pasha. Në interpretimin e parë në skenën e madhe të Festivalit Europian që këtë vit po zhvillohet në Oslo të Norvegjisë, në stadiumin "Telenor Arena" ajo dha më të mirën e vetes me “Nuk mundem pa ty”, në anglisht “It’s all about you”, duke fituar një biletë për natën finale të festivalit që do të jetë të shtunën më 29 maj. Gjatë konferencës për shtyp menjëherë pas festivalit, dha edhe një mesazh Shqipërie: “Ndiej se Europa u bë një familje sot në skenë”. Kënga, pas shpalljes fituese në festivalin e këngës në RTSH, është përpunuar në SHBA dhe në Angli. Ajo është një krijim i Ardit Gjebreas në bashkëpunim me Pirro çakon dhe orkestrimi mban firmën e Shpëtim Saraçit. Si vokal i dytë i këngës në këtë përfaqësim në “Eurovision” janë zgjedhur tre këngëtare amerikane, Glenys Vargas e Joy nga New York City, dhe Desiree Keedjour nga çikago. Gjithashtu, bashkë me to në skenë do të ngjitet sikundër edhe natën e parë, violinisti shqiptar Olen Cezari, mjaft i njohur në arenat ndërkombëtare. Nëntë këngët e tjera që hynë nga konkurrimi i natës së parë gjysmëfinale në finalen që do të jetë sot në mbrëmje, janë Moldavia, Bosnjë-Hercegovina, Belgjika, Serbia, Bjellorusia, Greqia, Islanda, Rusia dhe Portugalia. Dje u zhvillua mbrëmja e dytë gjysmëfinale. Ndërkaq, vendet që konkurrojnë automatikisht në natën finale të Festivalit Europian janë Norvegjia, Spanja, Anglia dhe Gjermania dhe Franca. Gjatë konferencës, këngëtarët kanë tërhequr shortin se kur do ta këndojnë këngën në natën finale. Kështu Shqipëria do të këndojë e 15-ta dhe për të gjithë televotuesit do të jetë me kodin 15. Kënga shqiptare e Juliana Pashës është promovuar përpara fillimit të netëve të “Eurosong” në Maqedoni, Bosnjë-Hercegovinë dhe Holandë. Juliana Pasha e çon në shtatë numrin e pjesëmarrjeve të Shqipërisë në këtë kompeticion të rëndësishëm të muzikës europiane.

Një interpretim i kurorëzuar me kualifikim në finale. Si ishin çastet e pritjes, besonit në këtë sukses?

Teksa po shihnim përzgjedhjet e këngëve që do kalonin në finale, përjetuam emocione të mëdha. Nuk ishte e lehtë, pasi në konkurrim kishte këngë të mira, kishte këngëtarë apo grupe që kishin pritshmëri të madhe për finalen e të tjerë që, edhe pse nuk kishin besuar, sërish përzgjidheshin. Deri në fund ishim në pritje, por nuk na mungoi për asnjë çast mbështetja.

Pas kualifikimit, çfarë synoni në finale?

Për mua e rëndësishme ishte që ne arritëm të kualifikoheshim. Sigurisht që unë dhe grupi shoqërues do të japim maksimumin, ashtu siç bëmë edhe mbrëmjen e së martës. Në të gjitha intervistat që kam dhënë për median këtu, kam theksuar se është shumë e rëndësishme që Shqipëria të përmendet sërish në ato tri minuta interpretim në natën finale. Ky festival ndiqet nga një Europë e tërë dhe kjo mjafton.

Kujt ia dedikoni këtë sukses?

Kanë qenë të shumtë ata që kanë bashkëpunuar me mua për këtë këngë. Së pari ia dedikoj bashkëshortit tim që më ka shoqëruar në çdo moment, Arditit, Pirros, Shpëtimit, fansave që na kanë mbështetur gjatë gjithë kohës dhe Perëndisë.

Si i përjetuat tri minutat e interpretimit në skenën e “Eurovizion”-it?

Kur kemi dalë në skenë, unë, violinisti Olen Cezari dhe tri vokalistet amerikane, na ka bashkuar më shumë se kurrë një frymë shqiptare. Kemi pasur një siguri dhe vetëbesim të madh. Gjëja më e bukur kanë qenë qindra shqiptarët që mbanin flamurin tonë në duar, që kishin veshur bluza me logon shqiptare, apo kishin vënë kapela të tilla. Ka qenë një atmosferë e rrallë.

Pas pak ditësh do të ngjiteni sërish në skenë, tashmë si finaliste. Do të ketë ndryshime në performancë?

Ne kemi bërë më të mirën e mundshme deri më tani dhe performanca nuk mund të ndryshojë. E rëndësishme është kënga, melodia dhe mesazhi që ajo përcjell.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›