E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaferraj, në Katar për turizmin dhe kulturën

Një delegacion i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, kryesuar nga ministri Ferdinand Xhaferraj, ndodhet për vizitë në Arabinë Saudite që më datën 22 maj. Qëllimi i kësaj vizite është pjesëmarrja në Konferencën Ndërkombëtare për Trashëgiminë

Urbane Islamike dhe rolin e saj në zhvillimin ekonomik e kulturor, e cila po zhvillohet këto ditë në Riad. Konferenca, në të cilën merr pjesë delegacioni ynë zhvillohet në patronazhin e Princit Saudit, Sultan bin Selman Al Saud, njëkohësisht president i Komitetit të Zhvillimit Kulturor në Arabinë Saudite. Ministri Ferdinand Xhaferraj, para se të mbërrinte në Riad, me ftesë të Ministrit të Kulturës, Artit dhe Trashëgimisë së Katarit, Dr. Hamad bin Abdulhaziz Al Kuëari, ka bërë një vizitë zyrtare në Doha. Këtu ai është pritur me nderime të veçanta nga ministri Abdulhaziz Al Kuëari, me të cilin ka zhvilluar një takim të miqësor. Por bisedimet midis dy ministrave kanë vijuar gjatë një darke, të cilën ministri i Katarit e ka shtruar për nder të ministrit, Xhaferaj. Përveç të tjerash ministri Xhaferraj ka falënderuar homologun e tij të Katarit për investimin e rëndësishëm të firmës së këtij vendi, OMNIX Group në Shqipëri. Investimi i kësaj kompanie prej 2 miliard e 400 milionë dollarësh është vlerësuar nga të dy palët si një nxitje e madhe për investitorë të tjerë në fushën e turizmit në Shqipëri. Të njëjtat falënderime ka bërë ministri shqiptar edhe në selinë e kompanisë OMNIX në Doha, ku është takuar dhe ka zhvilluar bisedime me drejtorin ekzekutiv të kësaj korporate, Bassam Abu-Issa. Takimet dhe bisedimet me autoritetet e Katarit kanë vendosur një dimension të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve në fushën e kulturës. Ministri i Katarit ka siguruar Ministrin Xhaferraj se marrëdhëniet e të dy vendeve do të njohin zhvillime të reja cilësore, duke përmendur faktin se këto marrëdhënie do të konkretizohen në një marrëveshje të re në fushën e kulturës e të trashëgimisë kulturore, e cila do të nënshkruhet muajin e ardhshëm nga Emiri i Katarit dhe Kryeministri i Shqipërisë, Berisha. Ndërkaq ministri Abdulhaziz Al Kuëari ka premtuar se në vjeshtë do të bëjë një vizitë në Shqipëri, gjatë së cilës të dy vendet do të konkretizojnë përpjekjet e përbashkëta për zhvillim e bashkëpunim të ndërsjelltë. Prej kryeqytetit të Katarit, Doha, delegacioni ka udhëtuar më pas në Riad të Arabisë Saudite, i ftuar nga Princi Sulltan. Pjesëmarrja në Konferencën Ndërkombëtare ishte qëllimi i kësaj vizite, por Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Xhaferraj, ka shfrytëzuar rastin për takime dhe bisedime të shumta me autoritetet e Arabisë Saudite.

Çmimet KULT, 44 artistë të kandiduar në art e kulturë
Akademia Kult organizon Edicionin e gjashtë të çmimeve Kult 2010. Një aktivitet i rëndësishëm dhe i vetmi në fushën e artit dhe kulturës shqiptare, që promovon artistët që kanë sjellë vlera të padiskutueshme në fushën e artit, duke u përballur edhe me sfidën që quhet duartrokitje nga publiku. Pas pesë edicioneve të suksesshme, ku Akademia Kult ka nderuar më të mirët e vitit, fituesit e këtij çmimi mund të krenohen për rëndësinë e tij.
Çmimet për artistët më të mirë të vitit janë rezultat i një pune një-vjeçare të gazetarëve të revistës Kult, revista e vetme kulturore-informative në vend. Pas një përgatitje të gjatë tre-mujore nga juritë e ngritura, akademia Kult ka kënaqësinë të informojë se më të mirët e kandiduar do të meritojnë edhe votën e publikut për të shkuar në natën finale, në Tetarin e Operës dhe Baletit, më 27 maj, ku do të zhvillohet edhe spektakli me më të mirët e vitit 2010. Listat e artistëve që kanë filluar garën për vitin 2009 ka nisur me: 51 interpretues lirikë, 42 instrumentistë, 74 artistë pamorë, 28 skenografë, 44 shfaqje teatrale, 36 regjisorë, 183 libra studimorë, 151 libra artistikë, 170 përkthime,110 albume muzikore. Edicioni i katërt sjell 44 artistë në garë të cilët konkurrojnë në 11 fushat: Artisti pamor i vitit, Skenografi i vitit, Libri artistik i vitit, Libri studimor I vitit, Përkthimi i vitit, Aktori i vitit , Aktorja e vitit, Regjia e vitit , Albumi muzikor i vitit , Interpretuesi lirik i vitit, Instrumentisti i vitit Edicioni i gjashtë i Akademisë Kult 2010 sjell edhe dy çmime honorifike. Edicioni i gjashtë i Çmimeve Kult 2010 është padyshim vazhdimësia e sistemit të vlerave, që mbështet dhe stimulon artistët shqiptarë duke i vlerësuar me kupën e më të mirit gjatë një viti. Në këtë vazhdimësi të idesë së Akademisë Kult, për të krijuar vlera, në një treg, ku politikat e mbështetjes, rrugët dhe mundësitë për ti gjetur ato mbeten të dyshimta.

Sex and the City 2, premierë botërore në Tiranë
Dy vjet pas suksesit botëror, legjenda njujorkeze Sex and the City rikthehet në ekranin e madh të kinemasë me episodin e saj më të ri. Dhe ashtu si në përshtatjen e parë kinematografike të këtij seriali televiziv, historia e katër zonjave amerikane vazhdon të ngjallë kureshtje jo vetëm tek fansat, por edhe të publiku i gjerë, i cili ka filluar të numërojë mbrapsht orët që ndajnë nga premiera botërore e Sex and The City 2. Edhe në Tiranë, filmi sjell një atmosferë të veçantë, e cila do të paraprihet nga një premierë botërore, të organizuar nga kinema Millennium në bashkëpunim me revistën Jeta. Premiera do të zhvillohet në datën 28 maj, në orën 20.30 dhe të ftuarat e këtij projeksioni special janë zonja dhe zonjusha shqiptare të profesioneve dhe moshave të ndryshme. Kjo është e dyta herë që Millennium dhe Jeta organizojnë premierën e filmit Sex and the city. Në vitin 2008 kur doli episodi i parë kinematografik, filmi u prit mjaft mirë nga publiku shqiptar. Edhe vijimi i kësaj historie të shkruar nga Candance Bushnuell dhe me regji të Michael Patrick King është mjaft interesant dhe ka ngjallur interesin e publikut në mbarë botën. Që tani kritikët kanë parashikuar një sukses të madh të këtij filmi që fillon të shfaqet në mbarë botën këtë fundjavë.

Last Updated on E Merkure, 26 Maj 2010 20:18

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›