E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elena Ayusheeva, nesër në skenën shqiptare si Leonora e Verdit

Sezoni koncertor sjell në kryeqytet një emër të njohur të operistikës botërore

E cilësuar si një prej zërave më të mirë botëror, për interpretimet saj në muzikën operistike, sopranoja e njohur Elena Ayusheeva nesër do të japë një koncert në kryeqytet. Në vijim të sezonit koncertor 2009-2010 Orkestra Simfonike e RTSH do të zhvillojë koncertin e

radhës, por ashtu si dhe në koncertet e tjera, ajo do të sjellë një program të larmishëm para publikut. Koncerti në skenën e Akademisë së Arteve do të jetë nën dirigjimin e Oleg Arapit, programi përmban pjesë nga Çajkovski, Bellini, Puccini, Verdi, Weber, Shostakovich etj, të cilat vijnë me muzikë të luajtur nga instrumentistët e orkestrës shqiptare, që do të shoqërojnë zërin e mrekullueshëm të sopranos Ayusheeva. Pjesë nga veprat Madama Butterfly, aria "Un bel di` vedremo, La Boheme aria di Musetta-Quando me`n vo`, Un ballo in Maschera, Il Trovatorearia e Leonorës Tacea la notte placida, etj, do të vijnë para publikut shqiptar nga zëri i mrekullueshëm i sopranos me famë botërore, e cila nesër do të ngjitet dhe në skenën shqiptare. Sopranoja Elena Ayusheeva ka një jetë të larmishme artistike, e cila është kurorëzuar dhe me shumë çmime të ndryshme. Talenti i Elenës si këngëtare operistike u vu në dukje sidomos me çmimet që ajo ka marrë në konkurset ndërkombëtare si konkursi  Dvorak në Karlovy Vary të Çekisë në vitin 2002, konkursin Zera Verdiane në Busseto (Itali) 2003, konkursi Galina Vishnievska në Moskë 2006. Elena është fituese e Çmimit të Parë në Konkursin prestigjioz ndërkombëtar Renato Bruson Ganadores në 2008 (Madrid). Ka debutuar në rolin e Normës së Belinit në Festivalin Ndërkombëtar Aspendos në qershor 2008 (Turqi), në shkurt të vitit 2009 debuton suksesshëm në operën  Turandot të Verdit dhe në nëntor 2009 këndon Aidën në Budapest. Në karrierën e saj operistike si soliste Elena ka realizuar koncerte në shumë qytete të Rusisë dhe Europës. Në vitin 1998 ka mbaruar shkëlqyeshëm shkollën e mesme në Fakultetin e Pianofortes në qytetin Belgorod të Rusisë. Në vitin 2005 mbaron Konservatorin Tchaikovsky të Moskës në klasën e kantos, me pedagoge Klara Grigoreva Kabinska. Në vitin 2006-2008 kryen Master për kanto po në Konservatorin Tchaikovsky të Moskës. Ka kryer Master të ndryshëm me këngëtare të njohur si: Nadar, Angulladze, Elena Obrascova, Makvalla Kastrashvili, Ludmilla Kazarnovskaja. Ka marrë mësime me Maestro Carlo Pari, gjithashtu dhe me pedagogun e njohur amerikan Michael Paul. Në vitin 2006 ka bërë praktikë në Akademinë Enarmonica me mjeshtër Rolando Panerai (Itali). Sa i takon sezonit koncertor të orkestrës së RTSH, për publikun vjen një sezon i pasur artistik. Para disa kohësh  tingujt e pianos së solistes Ana Kaçinari zbritën në skenën e Akademisë së Arteve. Nën drejtimin e dirigjentit të njohur shqiptar Eno Koço, publiku i kryeqytetit e më gjerë pati mundësinë të ishte i pranishëm në një mbrëmje të veçantë me muzikë klasike, ku u interpretuan pjesë të zgjedhura nga pianistja Kaçinari. Qysh nga fillimi sezonit të saj artistik për vitin 2010, Orkestra Simfonike ka sjellë për gjithë admiruesit e muzikës klasike, koncerte të ndryshme të realizuara gjithashtu në bashkëpunim me emra të njohur të fushës, jo vetëm në Shqipëri por edhe në skenat botërore. Kështu, sezoni për këtë vit ka nisur me një koncert tepër të veçantë zhvilluar në Akademinë e Arteve. Ndërkohë që në skenën shqiptare do të vijojnë të zbresin artistë e kompozitorë me famë botërore, ashtu sikurse në të njëjtën kohë, muzika klasike e artistët shqiptarë do të vazhdojnë të përfaqësojnë denjësisht vlerat kombëtare në skenat botërore.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›