Junajted i mbyll derën Murinjos
Mançester Junajted ka hedhur poshtë zërat që e shihnin Hoze Murinjon si pasardhësin e Sër Aleks Ferguson në krye të stolit. Mjaft media angleze spekulonin se tekniku portugez i Interit mund të ishte "i përzgjedhuri" i klubit për të zëvendësuar Ferguson, pasi ai të tërhiqej. Kësaj i shtohet edhe pohimi i Murinjos se pas disa kohësh (kur të përfundojë kontratën me zikaltërit e Serisë A), do t‘i pëlqente të rikthehej në Premiership. Por, një zëdhënës i Junajted deklaroi: "Ashtu si e kemi thënë edhe më parë, askush nuk ka diskutuar rreth kandidatëve potencialë, që mund të bëhen pasardhës të Sër Ferguson". Nga ana e tij, tekniku skocez, i cili punon në "Olld Traford" që prej vitit 1986, ka bërë të ditur se do të tërhiqet në vitin 2010. Ai është tekniku më i suksesshëm, duke fituar dhjetë tituj kampion në Angli, dy Champions dhe pesë trofe të FA Cup.