Tërbuni-Laçi, sherr në fushë
Kategoritë inferiore vazhdojnë të jenë shumë problematike në futbollin shqiptar: mbi të gjitha në Kategorinë e Parë. Të dielën në këtë aktivitet është regjistruar ngjarja e shëmtuar e radhës. Në derbin e veriut ndërmjet Tërbunit dhe Laçit të luajtur në Pukë, nuk ka munguar sherri në fushë, ku protagonistë nuk kanë qenë vetëm lojtarët, por edhe persona të veshur me petkun e zyrtarëve (të klubeve dhe qeverive vendore). Kur kronometri shënonte 64 minuta lojë, pas një përplasjeje banale në fushë situata është tensionuar: futbollistët kundërshtarë, Neziri dhe Nimani, fillojnë të zihen, ndërkohë që "dueli" sjell degjenerimin e situatës. Fusha pushtohet nga spektatorët miq, mes të cilëve edhe presidenti i laçianëve, Pashk Laska. Zyrtari i klubit dhe disa prej personave tentuan të rrihnin kryebashkiakun e Pukës, Rustem Struga, madje njëri prej tyre ka tentuar të nxjerrë edhe pistoletën. Mësohet se ky person është një polic i Bashkisë së Laçit dhe kaq u ka mjaftuar bluve të Pukës që mos ta shoqërojnë në komisariat, por të limitohen vetëm me shoqërimin e tij jashtë stadiumit. Problemet në fushë u pasuan edhe nga trazira në tribunat e stadiumit, megjithatë policia arriti të merrte kontrollin e situatës dhe ndeshja vazhdoi normalisht. Në fund të 90-minutëshit skuadrat u ndanë në barazim 1-1, ku miqtë shënuan të parët me Nimanin, ndërsa goli i barazimit për pukjanët mban firmën e Ahit.
Ky nuk është episodi i vetëm i dhunës në këtë fundjavë të Kategorisë së Parë. Të shtunën në Librazhd, në takimin ku Sopoti vendas barazoi 1-1 me Burrelin, në fund të lojës nuk munguan konfrontimet ndërmjet lojtarëve në rrugën drejt dhomave të zhveshjes. Policia ka reaguar menjëherë, duke shmangur agravimin e situatës dhe njëkohësisht shoqëroi deri në daljen e qytetit treshen e gjyqtarëve.