Junajtid eliminon Sitin
Me rezultatin 2-3 ka përfunduar supersfida e kësaj fundjave e zhvilluar në “Ettihad Stadium”, e cila ishte në kuadër të FA Cup, ku Mançester Junajtid ka mposhtur vendasit e Mançester Sitit.
Ky ishte rasti ideal për “Djajtë” që të hakmerreshinn pas turpërimit me shifrat 6-1 në ndeshjen e parë të kampionatit. Sfidën e filloi më mirë Mançester Siti, që dominoi duke tentuar ta shpërthejë mbrojtjen e ngjeshur të “Djajve të Kuq”. Sidoqoftë, ishte një harkim i saktë nga Antonio Valencia që i mundësoi Uejni Runit (10’) të realizonte bukur me kokë. Vetëm dy minuta pas golit të parë, përjashtohet nga loja mbrojtësi kryesor i Sitit, Vinsent Kompani, pasi gjyqtari e vlerësoi si të gabuar një ndërhyrje të pastër të lojtarit në topin që e zotëronte Nani. Sidoqoftë, Junajtid më pas fillon dominimin e vërtetë. Një rrëmujë në zonë shfrytëzohet më së miri nga Deni Uellbek që shënon pas një voleji të saktë golin e dytë. Goli i tretë erdhi edhe njëherë nga këmbët e Uejn Runit, që shënoi në minutën e 39-të. Në pjesën e dytë me një lojtar më pak, Mançester Siti tentoi të rihapte ndeshjen. Fillimisht Aleksandar Kolarov shënoi për rezultatin 3-1 dhe më pas edhe Sergio Aguero shkurtoi në 3-2 në një pjesë të dytë të dominuar nga vendasit, por nuk mundën të barazonin dot, duke u eliminuar kështu nga FA Cup.
Skuadra e Çelsit ka qenë bindëse në fitoren prej 4-0 përballë Portsmuthit, për të vazhduar në raundin e katërt të FA Cup. Fraksioni i parë u mbyll pa gola, ndërsa me të filluar pjesa e dytë (48’), Huan Mata i kaloi blutë në epërsi. Në pesë minutat e fundit të kohës së rregullt, Ramires realizoi dy herë (85’ dhe 87’) për ta konfirmuar fitoren e vendasve. Ndërkaq, në minutat shtesë (90’+3), Frank Lampard vendosi rezultatin përfundimtar