Lëndohet Cana, mungon dy muaj

Pikërisht kur po e rikthente dalëngadalë formën e dikurshme, përfaqësuesi shqiptar është lënduar në shpinë, në ndeshjen e së shtunës mbrëma, me ç’rast e ka vizituar klinikën Paideia të Romës, ku janë bërë edhe ekzaminimet e para.
“Ka gjasa të mëdha që futbollisti të mbetet jashtë fushës për një muaj e gjysmë ose dy, por duhet të marrim informata shtesë rreth këtij rasti. Do të takohem me Igli Taren dhe do ta shqyrtojmë edhe një herë situatën e Canës”, deklaroi trajneri i Lazios, Edy Reja, i cili është i brengosur për lëndimin e lojtarit të tij. Cana ishte zëvendësuar me të përfunduar pjesa e parë, pasi që ndiente dhimbje në shpinë.
28 vjeçari ishte transferuar në Lazio gjatë verës së vitit që shkoi nga Galatasaray. Ai pati një nismë zhgënjyese të eksperiencës në klubin italian, por kohëve të fundit e riktheu formën më të mirë dhe u bë pjesë e rëndësishme e ekipit Biancocelesti.