Junajtid synon David Vijën dhe Akinfev
Mançester Junajtid po përgatit sulmin final për të "rrëmbyer" David Vijën nga Valencia. Lajmi konfirmohet nga e përditshmja angleze, "Daily Mail", e cila pretendonte se skuadra e Sër Aleks Ferguson ka rihapur negociatat me drejtuesit e klubit spanjoll. "Djajtë e Kuq" ishin interesuar për të transferuar sulmuesin në "Olld Traford" edhe gjatë merkatos së verës, menjëherë pas shitjes së Kristiano Ronaldos te Reali i Madridit. Gjithsesi, në fund Ferguson i dha besim Majkëll Ouen, i cili shërben si mbështetje për Runin dhe Berbatov në repartin ofensiv. Vija kërkohet edhe nga Reali e Barcelona, por Junajtid duket se kryeson garën, pasi anglezët janë të gatshëm të paguajnë deri në 45 milionë euro. Ferguson ka kërkuar përforcime edhe për në portë: me kujdes po vëzhgohet "gardiani" 23-vjeçar i CSKA-së së Moskës dhe përfaqësueses ruse, Igor Akinfev.