Ferrara: Do më kishte pëlqyer të luaja për Zhoze Murinjon
Çiro Ferrara flet për zhvillimet më të fundit në jetën e re si trajner. Në emisionin "Era glaciale" (Epoka e akullit) të transmetuar në valët e "Rai 2", përpara pyetjeve ngacmuese të gazetares Daria Binjardi, drejtuesi i stolit të Juventusit foli për "rivalin" e tij, Murinjo, për diskutimet Lipi-Kasano që kanë qenë në qendër të vëmendjes në Itali, por edhe për çështjen e dopingut (akuza që më pas u hodhën poshtë) të mbrojtësit Fabio Kanavaro. Pika kulmore ishte kur Ferrara u pyet: "Do t‘ju kishte pëlqyer të luanit në një skuadër të drejtuar nga Zhoze Murinjo?". "Për të qenë i sinqertë, po. Lojtarët e tij flasin të gjithë me superlativa", ishte përgjigjja surprizë e ish-mbrojtësit të Kombëtares italiane. "Nëse më lejohet, mund të them se si koleg ka disa gjëra për të cilat jam dakord me Murinjon, por edhe të tjera që nuk më pëlqejnë. Disa vëzhgime të tijat i kalojnë të gjithë kufijtë dhe këtë doja të vija në dukje gjatë javës së kaluar", shtoi ai duke iu referuar konferencës për shtyp të së shtunës së kaluar, ku i kërkoi trajnerit zikaltër që të mos fliste më për Juventusin. "Doja të përgjigjesha në mënyrë ironike, e mendoj se në dialektin napolitan do të tingëllonte më mirë. Gjithsesi, ndoshta do të kishte qenë më mirë të heshtja, sepse në ndeshjen e radhës humbëm". Ferrara e vlerëson teknikun luzitan edhe në një tjetër mënyrë: "Së pari Murinjo i pëlqen opinionit, sepse është më i pashëm se unë, vazhdoi me shaka trajneri i Juves. Por, rreth tij flasin rezultatet që ka arritur si teknik, të cilave i shtohen edhe aftësitë komunikuese. Shpesh thonë që unë jam i edukuar, por një humbës, do të preferoja të isha fitues dhe i paedukuar. Megjithatë, mendoj se mund të jesh fitues dhe i edukuar në të njëjtën kohë". Rreth muajve të parë në krye të bardhezinjve ai shtoi: "Humbja e një ndeshjeje të rëndon më shumë kur je në stol. Edhe nëse do të më kishin ofruar më pak para, do ta pranoja ofertën për t‘u emëruar trajner i Juventusit. Një episod interesant? Pasi firmosa kontratën, drejtori sportiv më pyeti nëse isha i kënaqur. Përgjigjja ime ishte: Mund të kishe bërë më tepër. Megjithatë, ky ishte një shans i jashtëzakonshëm për mua dhe çështja e rrogës kaloi në plan të dytë".
Në intervistën e gjatë, Ferrara foli edhe për rikthimin e mundshëm të Marçelo Lipit te Juventusi dhe për çështjen "Kasano". "Nuk do të çuditesha nëse një ditë Lipi do të kthehej në klubin bardhezi. Por, në këto momente ai ka objektiva dhe ambicie të tjera. Kasano jashtë përfaqësueses italiane? Kam pasur shansin që të bashkëpunoj me Lipin dhe ta njoh nga afër. Ai ka idetë e tija: edhe në Botërorin 2006 ai la jashtë skuadrës disa elementë që e meritonin të grumbulloheshin, por në fund rezultati i dha të drejtë". Rreth Luçiano Moxhit, Ferrara tha: "Së bashku kemi përjetuar momente të bukura dhe të vështira. Kur ndodhem në Napoli e takoj me shumë dëshirë". Në fund edhe dy fjalë për akuzat ndaj Kanavaros për përdorim dopingu. "Kortizonin e përdori pas pickimit të një grerëze. Për fat të mirë gjithçka u zgjidh pa probleme. Fabio nuk kishte faj, diçka nuk funksionoi në komunikimin mes strukturave", përfundoi trajneri bardhezi.