Juncker:Greqia të reduktojë shpenzimet

Kryetari grupit të euros, kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, i ka bërë thirrje Greqisë, vend i zhytur thellë në borxhe, që të ashpërsojë edhe më tej kursin e reduktimit të shpenzimeve. "Qeveria duhet të marrë masa të tjera për reduktimin e deficitit, tha Juncker për një gazetë të Athinës, ndryshe do të përballet me masa ndëshkuese nga BE-ja- shtoi ai. Sipas një informacioni të gazetës gjermane "Handelsblatt", qeveria gjermane po pregatit një aksion të mundshëm shpëtimi për Greqinë. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schwuble, synon për këtë qëllim vendosjen në buxhet të një parashikimi për risqet, njofton gazeta. Situata ekonomike në Greqi ka krijuar probleme jo vetëm në këtë vend, por në të gjithë zonën e euros dhe shtete të tejra. Problemet ekonomike të Greqisë mund të përhapen duke infektuar dhe vende të tjera, një fakt që u bë me dije nga vetë kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu, sipas të cilit Greqia nuk është e vetmja që ka probleme të tilla në një kohë krizë. Ndërkaq, ai paralajmëroi për pasoja serioze nëse Greqisë i mohohet asistenca e ndërkombëtarëve. Ndër të tjera Papandreu, tha se Greqia duhet lejuar që të marrë hua me të njëtën kamatë si vendet e tjera dhe se qeverisë së tij i nevojitet mbështetje politike, jo financiare, për të treguar se sërish mund t'i besohet.