E Shtunë, 31 Tetor 2026

Junker: Nëse marëveshja rrëzohet, Greqia falimenton

ATHINE-Kreu i Eurogrup Jan Klod Junker ishte i prerë në reagimin e tij pas deklaratës së kryeministrit grek.
“Papandreu nuk u konsultua me ne dhe nuk na njoftoi” – tha Jan Klod Junker, i cili paralajmëroi se “nëse qytetarët grekë hedhin poshtë marrëveshjen e re të kredisë me një referendum, atëherë Greqia do të përballet me falimentimin”.

Dy udhëheqësit evropianë, Merkel dhe Sarkozy protagonistët kryesorë të marrëveshjes së BE, në mes të turbullirës që shkaktoi deklarata e Papandreut, siguruan se plani për shpëtimin e Greqisë do të vihet në zbatim.
Gjatë një bisede telefonike që patën të dy liderët, janë shprehur të vendosur për hartimin e një udhërrëfyesi që do të siguronte zbatimin e projektit.
Kreu i Bashkimit Europian Herman van Rompuy dhe presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, bëjnë me dije se kanë zhvilluar bisedë telefonike me Jorgos Papandreun.
"E marrin parasysh predispozicionin e qeverisë greke për të zhvilluar referendum. Jemi të bindur se marrëveshja e BE është më e mira për Greqinë. Kemi besim të plotë se Greqia do të respektojë angazhimet që ndërmori ndaj eurozonës dhe komunitetit ndërkombëtar", shprehen ata

Ndërkaq udhëheqësit e shteteve më të fuqishme në botë G 20 do të takohen nesër në Francë, dhe kriza e borxheve në Eurozonë do të jetë në qendër të vëmendjes, vecanërisht pas zhvillimeve të fundit.
Në këtë samit do të marrë pjesë edhe kryeministri Papandreu për të informuar udhëheqësit e G20 mbi vendimin dhe zhvillimet. Për këtë arsye debati parlamentar që ishte parashikuar të fillonte nesër, shtyhet për të enjten.
Pas tre ditësh debate, do zhvillohet edhe votëbesimi i qeverisë greke në Parlament.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›