E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat e Kopenhagënit: Projekti 200-faqësh që "do të shpëtojë" botën

Në dhjetor, në Kopenhagën të Danimarkës do të mblidhen shumë vende të botës për të ndërmarrë masat e radhës në lidhje me ngrohjen globale dhe ruajtjen e mjedisit në përfundim të hapësirës së protokollit të Kiotos. Për këtë është përgatitur një projekt prej 200 faqesh, që po shqyrtohet nga qeveri të ndryshme. Ky projekt do të diskutohet para takimit të dhjetorit në Kopenhagën, një takim që parashikohet konfuz dhe kontradiktor. Edhe vetë projekti i hedhur në letër ka shumë konfuzion, sipas disa analistëve. Ai është një material mbi të cilin mund të lindë një marrëveshje e re në lidhje me veprimet që duhen ndërmarrë për ruajtjen e klimës. Shumëkush e konsideron këtë si shansin e fundit për të shpëtuar planetin nga pasojat galopante të ngrohjes globale. Për herë të parë ky projekt 200-faqësh do të diskutohet nga përfaqësuesit e 190 vendeve të ndryshme të botës në Bangkok. Pas këtij takimi do të ketë edhe një takim tjetër, para atij të Kopenhagënit, në të cilin do të marrë formë edhe versioni final. Projekti konsolidon dhe risjell shumë propozime për një sërë ndryshimesh të kërkuara nga vende të ndryshme. Bëhet fjalë për ndryshime të pikave të draftit të mëparshëm, që ishte një material prej 300 faqesh. Drafti nuk ka ende një status zyrtar dhe duhet të miratohet formalisht para nisjes së bisedimeve në Kopenhagën. Teksti përfshin seksione që kanë të bëjnë me çështje të cilat janë zvarritur në lidhje me masat që duheshin marrë për t‘iu përgjigjur ngrohjes globale. Ai, ndër të tjera, u bën pyetje shumë vendeve në lidhje me vullnetin për të reduktuar emetimin e gazeve të dëmshme, si dhe për kohën e ndërmarrjes së një veprimi të tillë. Aty parashikohen edhe paratë që vendet e zhvilluara do t‘u japin vendeve në zhvillim për kompensim ndaj uljeve të emetimit të gazeve. Sipas rregullave të OKB-së, që një marrëveshje e re të miratohet, çdo vend duhet që të firmosë pjesën më të madhe të pikave të rëndësishme të saj. Marrëveshja e re do të pasojë protokollin e Kiotos, që është edhe traktati ekzistues rregullator. Fuqia e tij do të jetë deri në vitin 2012. Por, ndërkohë, pas skene pesimizmi është në rritje në lidhje me rezultatet që mund të arrijë takimi i Kopenhagënit, sepse shumë vende ende janë të pavendosura në lidhje me shumë pika të marrëveshjes dhe angazhimin e tyre në lidhje me çështje serioze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›