Berisha: Enciklopedia, doktrinë raciste e fqinjëve. Meta ul tonet: Nuk duam të nxisim polemikaNga TemaKryeministri, Sali Berisha, e quan një shpërthim racist si në kohën e Çubrilloviçit, Enciklopedinë maqedonase. Kryeministri e sulmoi ashpër përmbajt
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Berisha: Enciklopedia, doktrinë raciste e fqinjëve. Meta ul tonet: Nuk duam të nxisim polemikaNga TemaKryeministri, Sali Berisha, e quan një shpërthim racist si në kohën e Çubrilloviçit, Enciklopedinë maqedonase. Kryeministri e sulmoi ashpër përmbajtjen e saj gjatë një konference për shtyp, por zëvendësi i tij, Ilir Meta, ka zbutur tonet, duke thënë se ata nuk duan të mbajnë qëndrime që mund të shtojnë polemika. Duke folur pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara, Berisha tha se po vazhdon doktrina e vjetër raciste dhe antishqiptare.
“Për sa i përket këtij problemi, më duhet të them se ky ishte një shpërthim racist ndaj shqiptarëve, duke dëshmuar se ai institucion ka mbetur në stadin e Çubrilloviçit, por, nga ana tjetër, më duhet të theksoj se shqiptarët nuk kanë pse të impresionohen nga asnjë ndërhyrje e atyre që kanë probleme me identitetin e tyre. E gjithë doktrina e vjetër, raciste, antishqiptare, e fqinjëve tanë është e bazuar në dy shtylla kryesore; në pasigurinë genuine që ndjejnë, jo për faj të shqiptarëve. Është e bazuar në përpjekjet e kërkimit të identitetit, sepse ata që falsifikojnë historinë e tyre, të cilën e shkruajnë një herë në një mënyrë, e njëherë në një tjetër, të cilët thonë se njëherë kemi ardhur në shekullin e 6 e njëherë në shekullin e XXVI para Krishtit, ata dëshmojnë se janë në kërkim të identitetit. Shqiptarët nuk janë në kërkim të identitetit. Shqiptarët kanë qenë këtu, në të gjitha kohërat, kanë vuajtur për shumë gjëra, por kurrë nuk kanë vuajtur për identitet, pra duhet të kesh një vetëdije për këtë. Sidoqoftë, unë kam besim, duke marrë parasysh faktin se presidenti i Maqedonisë e konsideroi këtë një problem serioz dhe më siguroi se pas kthimit në vendin e tij, pasi ai kishte qenë për një vizitë në Gjermani e më pas në SHBA, pra pas kthimit ai do të bënte ndërhyrjet e tij. Nëse një grup ka mbetur në stadin e Çubrilloviçit, marrëdhëniet midis qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase janë shumë larg tyre, janë marrëdhënie të një natyre krejtësisht tjetër. Unë kam besimin se autoritetet maqedonase do të ndërhyjnë për të ratifikuar një akt primitiv të një mendimi që ka mbetur në stadin e Çubrilloviçit”, - tha Berisha.
Por zv/kryeministri Meta ka deklaruar se qëndrimi i Shqipërisë është konstruktiv. Meta tha se Shqipëria është një mbështetëse e fortë e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.
“Qëndrimi i Shqipërisë është konstruktiv. Ne i kemi shprehur qëndrime në mënyrë tepër të hapur dhe miqësore këtij vendi. Dëshirojmë që të shohim hapa të vullnetit të mirë për të evituar ngjarje të tilla që nuk afirmojnë Maqedoninë dhe mund të rrezikojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Nuk duam të mbajmë qëndrime që mund të shtojnë polemika. Shqipëria ka qenë dhe është mbështetëse e palëkundur e Maqedonisë në NATO dhe BE. Kemi qenë dhe jemi të bindur se kjo kërkon një mirëkuptim dhe mirëbesim dhe bashkëpunim të të gjithëve në Maqedoni”, - ka theksuar Meta.
Ristovski sërish nuk tërhiqet
“Nuk kemi asnjë fjalë për të tërhequr apo korrigjuar nga Enciklopedia. Por, ju lutem, a mund të besoni se një vepër e tillë shkencore lejohet apo mund të tërhiqet, për shkak se këtë e kërkojnë partitë shqiptare? Si do të ishte një Akademi, kur do të udhëhiqej nga mendimet dhe dëshirat e politikanëve dhe partive politike?” - ka theksuar Ristovski për gazetën beogradase “Politika”. Lidhur me reagimet e ambasadave amerikane dhe britanike, ai ka deklaruar se nuk mund të pranohen ndërhyrje të jashtme, sidomos kur kanë të bëjnë me këtë vepër kapitale.
Sipas tij, nëse do të vlerësohet se ka ndonjë pasaktësi, paqartësi, do të veprohet në mënyrë adekuate. Ristovski ka theksuar sërish se kishin vendosur që në redaksi të përfshinin edhe akademikët shqiptarët, të cilët, sipas tij, janë tërhequr me arsyetimet e tyre. “Kolegu Luan Starova ishte i përfshirë, por ai dha dorëheqjen, me arsyetimin se po merret me shkrimin e një libri. Profesori dhe akademiku Alajdin Abazi refuzoi angazhimin, me arsyetimin se ka detyrime të shumta në universitetin e Shtulit. Ne, në kuadër të redaksisë, kemi përfshirë autorë të rëndësishëm si Prof. Dr. Shukri Rahimi, Prof. Dr. Agim Poloska dhe Prof. Dr. Sefedin Sulejmani”, - ka thënë akademiku Ristovski.
Ai ka thënë se është i gatshëm të pranojë organizimin e tribunave shkencore për pjesët e kontestuara, por, sipas tij, nuk do të merren me historinë e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë. Edhe qarqet intelektuale shqiptare janë të mendimit se Ristovski nuk do të tërhiqet, për shkak të misionit të tij të njohur antishqiptar në të kaluarën.
Digjet flamuri maqedonas në Prishtinë, reagon Ministria e Jashtme e Maqedonisë
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë ka reaguar pas raportimeve për djegien e flamurit të këtij shteti, disa ditë më parë, në një ndeshje futbolli në Prishtinë, nga ana e tifozëve. Shkupi zyrtar thekson se në këto momente të ndjeshme çdo hap që ndërmerret duhet të jetë në drejtim të uljes së tensioneve ndëretnike, e jo të nxitjes së mëtejshme të tyre, transmeton ALSAT.
Ndërsa Zyra për Komunikim e Maqedonisë në Prishtinë ka kërkuar nga zyrtarët e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha masat ligjore ndaj autorëve të veprës penale. “Besimi i ndërsjellë dhe respekti ndërtohen në afat të gjatë dhe çdo palë duhet të kontribuojë në këtë drejtim. Nga Kosova, si shteti më i ri në rajon, pritet që në situata të tilla të demonstrojë kapacitet dhe aftësi, që të veprojë në mënyrë adekuate në drejtim të ndërtimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe zhvillimit të stabilitetit rajonal”, - thuhet në komunikatën e MPJ së Maqedonisë.
Edhe politika maqedonase e ka dënuar këtë akt dhe kërkon nga zyrtarët e Kosovës që të distancohen nga ky akt. “Vlerësojmë se bëhet fjalë për rast të izoluar, i cili nuk guxon të ndikojë në marrëdhëniet pozitive mes dy vendeve dhe nuk guxon të keqpërdoret në kontest ndëretnik të brendshëm”, - thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE.
“Djegia e f lamurit të Maqedonisë në Kosovë paraqet përzierje në politikën e brendshme dhe atak të vrazhdë ndaj sovranitetit të shtetit fqinj. Pres që institucionet zyrtare të Kosovës ta dënojnë dhe të distancohen nga ky akt, i cili nuk çon në drejtim të ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndëretnike”, - deklaroi Roza T. Karevska, deputete e PLD. Por BDI thekson se nuk duhet nënçmuar asnjë flamur i cilido shteti, por se në këtë drejtim hapi i parë që duhet ndërmarrë është tërheqja e Enciklopedisë, pasi ishte ajo që i nxit veprimet e tilla.
“Konsideroj se e keqja që iu është bërë raporteve shqiptaro-maqedonase, marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, marrëdhënieve ndërshtetërore të Maqedonisë me vendet shqiptare, siç është Shqipëria dhe Kosova, ka ndodhur me Enciklopedinë. Konsideroj se hapi i parë që duhet të ndodhë është tërheqja e menjëhershme Enciklopedisë nga ana e Akademisë së Maqedonisë për të treguar një hap pozitiv në drejtim të tejkalimit të tensioneve dhe për të treguar vullnet se ka interes për t’u tejkaluar kjo situatë. Sido që të jetë, flamuri i asnjë shteti konsideroj se nuk duhet të nënçmohet, ashtu si ne nuk duam të na nënçmojmë flamurin tonë”, - theksoi Teuta Arifi, deputete e BDI. Për momentin nuk ka reagime nga zyrtarët e Kosovës lidhur me incidentin e djegies së f lamurit të Maqedonisë.
Protestë dhe në Tiranë përballë ambasadës maqedonase
Pas reagimit të politikës dhe shoqërisë civile, mbrëmjen e së martës një grup të rinjsh të tifozëve kuqezi protestuan përballë ambasadës maqedonase në Tiranë kundër Enciklopedisë së Akademisë së Shkupit. Protesta e tifozëve kuqezi ishte konceptuar në mënyrë folklorike dhe paqësore, ndërsa përballë ndërtesës së ambasadës ishte shpalosur një banderolë, ku shkruhej “Veç një Shqipëri etnike dhe kurrgjë tjetër”, - ndërsa baza e thirrjeve të të rinjve protestues ishin thirrje të ndryshme. Protesta, e cila zgjati rreth 30 minuta, u mbyll pa incidente, ndërsa vlen të theksohet se forca jo të pakta policie mbikëqyrën zonën ku ishin përqendruar protestuesit.
Enciklopedia, Athina: Shkupi falsifikon historinë
Enciklopedia e Akademisë së Maqedonisë ka sjellë reagime edhe në Athinë. Në një deklaratë të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delakulas, Athina akuzon Shkupin si shtrembëruese të historisë. Në deklaratën e Athinës zyrtare, që është një ndër më të ashprat e kohëve të fundit, Delakulas akuzon Shkupin si falsifikator të historisë. Në deklaratë shkruhet: “Botimi i publikuar kohët e fundit prej Akademisë së Shkencave të Shkupit shtrembëron dhe fsheh të vërtetat historike. Kushdo i di faktet dhe askush nuk mund t’i fshehë ato. Publikimi i materialeve të tilla prej Shkupit nuk na habit. Të gjithë e dimë rolin e Akademisë së Shkencave dhe klimën luftënxitëse që ajo prodhon herëpashere. Qeveria e Gruevskit fshihet mbas kësaj tentative për shtrembërimin e fakteve historike”.
Reagimi i Athinës erdhi mbas publikimit prej Akademisë maqedonase të Shkencave të Enciklopedisë për historinë e Maqedonisë. Në të mohohet origjina greke e Aleksandrit të Madh, si dhe një sërë faktesh që kanë të bëjnë me krahinën greke të Maqedonisë, madje përmenden edhe pretendime të palës së Shkupit për ekzistencë të minoritetit sllavo-maqedonas në krahinën e Follorinës dhe shkelje të të drejtave të tyre prej shtetit grek, të cilat vazhdojnë deri ditët e sotme.