E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juridiku 5 vjet, nisin përplasjet midis MASH-it dhe UT-së



Propozimi i Ministrisë së Arsimit për ndryshimin e kohëzgjatjes së studimeve në Fakultetin e Drejtësisë nuk është mirëpritur aspak nga drejtuesit e Universitetit të Tiranës. Sipas përfaqësuesve të këtij të fundit, shkresa e dërguar nga MASH-i është krejtësisht antiligjore dhe e papranueshme, pasi në përputhje me ligjin e ri të arsimit të lartë, Senati i Universitetit ka të drejtë vendimmarrëse edhe për një çështje të tillë. Ndërkohë që kjo shkresë konsiderohet edhe si një cenim i kompetencave të UT-së në raport me autonominë universitare të njohur me ligj. Nga ana tjetër, sipas drejtuesve të UT-së, ndryshimi nga sistemi 4-vjeçar në atë 3+2 nuk mund të ndodhë në një kohë të shpejtë. Për këtë arsye shkresa e MASH-it për ndryshimin e sistemit të studimit te Juridiku shihet prej përfaqësuesve të rektoratit si një veprim i pamenduar nga ana e Ministrisë së Arsimit. Këtë ata e argumentojnë me faktin se programi mësimor, kurrikula dhe struktura organizative e këtij fakulteti ia imponojnë atij një zgjedhje të tillë, ndaj dhe studimet akademike në këtë degë janë lënë jo pa qëllim katër vjet dhe jo 3+2. Përfaqësues të rektoratit të UT-së e konsiderojnë një veprim të tillë nga ana e përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit si tendencioz. Sipas tyre, një gjë e tillë bëhet për të dëmtuar universitetin më të madh publik në vend.

18 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›