Parku i Butrintit, shtrenjtimi i biletës largon turistët shqiptarë
Drejtori Ylli Cërova për gazetën “Albania”: “Çmimi i biletave duhej unifikuar sipas standardeve europiane”
Petrika GROSI
Ndërsa bileta është rritur nga 300 lekë në 500 lekë për një vizitë në Parkun Kombëtar të Butrintit, kemi një rënie të vizitorëve vendës dhe rritje të atyre të huaj. Drejtori i këtij parku, Ylli Cërova tregon për gazetën “Albania” se kjo rritje e çmimit të biletës është bërë pasi standardet europiane kërkojnë unifikim çmimi për të gjithë turistët. Nëse vitet e kaluara vizitori shqiptar paguante gjysmën e kostos të biletës të një turisti të huaj, sot atij i duhet të paguajë dyfishin e asaj që i kushtonte dje për të vizituar parkun e Butrintit dhe për të njohur monumentet, vlerat e parkut, historinë e tij. Sa i takon infrastrukturës, gjatë vizitës tonë në Butrint konstatuam përmirësime të ndjeshme në krahasim me vitet e kaluara, vendpushime të rehatshme verore për turistët, restaurime e tableta orientuese në shqip dhe në anglisht, të cilat mund të ishin edhe më të shpeshta e më të detajuara në disa monumente, por që për hir të së vërtetës nuk mungonin. Sa u takon të ardhurave, Butrinti pritet të përfitojë këtë vit rreth 190 mijë dollarë nga shitja e biletave, fond i cili mendohet të përqendrohet në përmirësimin e infrastrukturës së parkut. Numri i turistëve gjatë kësaj vere, siç pohon vetë drejtori Cërova, mendohet të arrijë në mbi 50 mijë, pjesa dërrmuese e të cilëve janë turistë të huaj. Gjithashtu, në intervistën që vijon me drejtorin e Parkut të Butrintit, mësojmë mbi planet e menaxhimit, restaurimin e monumenteve, nevojat dhe projektet e ndryshme.
Si duket prurja e turistëve këtë muaj?
Muaji gusht është një muaj gjatë të cilit parku i Butrintit hapet në orën tetë të mëngjesit dhe mbyllet në nëntë të darkës. Është një muaj vendimtar sa i përket shtimit të numrit të turistëve dhe të ardhurave që ne përfitojmë nga shitja e biletave, fond tepër efikas, për të realizuar projektet që do të përmirësojnë infrastrukturën e parkut.
Për çfarë ka më tepër nevojë për momentin Parku i Butrintit, kam parasysh restaurime, gërmime dhe ekspedita të reja, etj....
Të gjitha këto janë zhvilluar në periudhën qershor – korrik. Janë bërë disa sondazhe për të studiuar periudhën dhjetë vjeçare dhe e rëndësishme është që gjatë gjithë kësaj periudhe ka vazhduar konsolidimi dhe restaurimi i të gjithë monumenteve kryesore të Butrintit si Bazilika e madhe, muri mesjetar pranë kanalit të Butrintit dhe shumë objekte të tjera. Sa i takon arkeologjisë, është bërë gërmimi i bazilikës në Akropol, nga i cili kemi rezultate të reja, njëkohësisht, nga Instituti i Monumenteve, restauratori Agron Islami ka mbyllur fazën e parë për këtë vit të konsolidimit dhe restaurimit të kësaj bazilike.
Në mos gaboj, sivjet kemi edhe një ngritje të konsiderueshme të çmimit të biletave për vizitorët e parkut. Pse?
Çmimi është unifikuar sipas standardeve europiane që kërkojnë kosto të njëjtë për të gjithë turistët; qofshin këta vendas apo të huaj. Pra, çmimi i biletës është ai që ka qenë vjet për turistët e huaj (500 lekë). Në këtë prizëm, numri i turistëve shqiptarë sivjet shënon një ulje të vogël, pasi ata ende nuk janë në gjendje ta përballojnë financiarisht këtë çmim. Megjithatë, e rëndësishme është që vizitorët shqiptarë vijnë qoftë familjarisht, në çifte apo edhe në grupe. Në këtë mënyrë, të gjithë vizitorët janë në gjendje të bëjnë dallimin midis Parkut Kombëtar të Butrintit dhe parqeve të tjera në Shqipëri. Sipas mendimit tim, nëse në Apolloni një biletë kushton 300 lekë, nuk do të ishte shumë, sidomos për një turist të huaj, që në Butrint të paguajë 500 lekë. Kështu, parku i Butrintit rrit të ardhurat e veta duke përballuar nevojat e ndryshme që ka, pa harruar grantet e qeverisë shqiptare dhe atyre të huaja.
Sa ciceronë keni në dispozicion të turistëve?
Momentalisht, për këtë sezon ne kemi katër ciceronë që punojnë me kohë të pjesshme. Ata janë studentë që e njohin shumë mirë anglishten dhe që kanë bërë trajnime për këtë punë. Butrinti ka në pikat kryesore të tij edhe tabelat informuese në shqip e në anglisht, ndaj nuk është i nevojshëm një numër më i madh ciceronësh. Nëse turisti kërkon ciceronë që ta shoqërojnë gjatë vizitës në park, atëherë, si në gjithë botën, ai duhet ta paguajë këtë shërbim dhe ne jemi në gjendje që të marrim sa ciceronë të na duhen pa asnjë problem. Po kështu, në anën tjetër nuk mungojnë botimet informuese dhe guidat në shqip e në anglisht.
Çfarë nuk duhet të humbë një turist nga vizita në Butrint?
Në radhë të parë turisti duhet të njihet me vlerat e mëdha të këtij parku. Duhet të ketë parasysh se kemi të bëjmë me një qytet antik që ka lidhje edhe me luftën mes trojanëve e helenëve, me vendndodhje pranë kanalit të Korfuzit. Njëkohësisht, turisti duhet të vizitojë muzeun, monumentet e rëndësishme të parkut, amfiteatrin, bazilikën e madhe etj. Këto janë disa nga pikat e rëndësishme të Butrintit pa veçuar krejt shtrirjen e tij, me rëndësi jo vetëm për vendin tonë por për gjithë pellgun e Mesdheut.
Cili është objekti që ka më tepër nevojë për ndërhyrje teksa flasim dhe çfarë fondesh nevojiten?
Fondet, përgjithësisht i sigurojmë me biletat, numri i shitjes të të cilave po vjen çdo vit në rritje. Aktualisht, kemi dyfishim të biletave që shiteshin në vitin 2005. Vjet, të ardhurat e biletave ishin 170 mijë dollarë, ndërsa për 2009-n shpresojmë të arrijmë 190-200 mijë dollarë. Pjesa më e madhe e këtyre të ardhurave (në masën 90 për qind) investohen sërish në Butrint. Tashmë, kemi gati projektin sa i takon infrastrukturës. Siç e shikoni, tani që po flasim, jemi ulur në këtë vendpushim komod, ku turistët qëndrojnë e çlodhen në këtë vapë të madhe. Po kështu, nuk mungojnë disa vendqëndrime të tjera në pikat kryesore të këtij parku. Pra, fondet që mbledhim nga biletat do t’i hedhim në pjesën më të madhe të tyre, për të vazhduar përmirësimin e infrastrukturës. Në fushën e arkitekturës dhe të restaurimit, mendojmë të bëjmë një projekt për të restauruar kalanë e Ali Pashës, duke e kthyer atë në një pikë të rëndësishme për të gjithë ambientalistët e botës që kanë dëshirë të vëzhgojnë dhe studiojnë florën dhe faunën e Butrintit. Shpresojmë që vitin tjetër të nisim këtë projekt.
Para pak kohësh është ngritur problemi i mungesës së fondeve për ruajtjen e monumenteve të kulturës, parqeve dhe muzeve. Po në Butrint, a është problem siguria?
Sigurinë e përballojmë me të ardhurat tona. Bëhet tenderimi dhe një nga firmat merr përsipër ruajtjen e parkut. Parku Kombëtar i Butrintit ka dhjetë punonjës që ruajnë muzeun dhe monumentet e tjera brenda zonës së tij. Për momentin, rreziku më i madh është rënia e zjarreve megjithëse sivjet nuk ka pasur raste të tilla.
Po për numrin e turistëve çfarë planesh keni?
Shpresojmë të arrijmë 50 mijë turistë gjatë verës dhe që ky numër të shtohet edhe më tej gjatë muajve të dimrit, kur ka një rënie të ndjeshme të vizitave. Butrinti nuk duhet të jetë një park që funksionon vetëm nga muaji prill e deri në mes të tetorit. Synojmë afrimin e turistëve ambientalistë gjatë muajve të dimrit e të pranverës në Butrint.
Së fundi, si mendoni ta menaxhoni dhe reklamoni Parkun e Butrintit, apo tashmë është bërë mjaft në këtë drejtim dhe kjo gjë i lihet spontanitetit?
Në raport me të gjitha parqet e tjera në Shqipëri e në Mesdhe, ne drejtohemi me një plan rajonal menaxhimi. Me fondet e Bankës Botërore ka mbaruar plani për menaxhimin e mjedisit dhe për fat të mirë, stafi i punonjësve të parkut specializohet çdo vit me doktoratura e mastera, në mënyrë që të kontribuojnë në zhvillimin e parkut dhe gjërat të mos i lihen rastësisë siç ndodhte para katër vitesh, kur këtu kishte një drejtor pa arsim të lartë dhe pesë roje.
17 Gusht 2009