E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, skema e plotë për të marrë pension edhe në Shqipëri

Procedura që ndiqet për sigurimin e pensionit në vend duke qenë jashtë tij

Mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit kanë mundësi që me një pagesë të caktuar mujore të sigurojnë pension pleqërie edhe në Shqipëri. Gjithçka nis që me verifikimin e viteve të siguruara të punës që ata kanë në vend, për të vijuar më pas me autorizimin e një të afërmi të tyre për kryerjen e pagesave të sigurimit vullnetar. Masa e kontributit për sigurimin vullnetar nga data 1 maj është ulur, duke u llogaritur në 3482 lekë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore zbardh skemën e plotë për sigurimin e njërit prej katër llojeve të pensioneve që përfitohen në vendin tonë, që janë: ai i pleqërisë (i plotë ose i pjesshëm), familjar dhe invaliditeti. Këto lloj përfitimesh shtetërore mund të merren edhe nga emigrantët shqiptarë nëpërmjet vazhdimit vullnetar të sigurimit shoqëror.
Skema
Së fundi shteti shqiptar ka hartuar një skemë, e cila bën të mundur që shqiptarët që punojnë jashtë shtetit jo vetëm të mos i humbasin vitet e punës që kanë pasur në shtetin e tyre, por të kenë mundësi të kryejnë edhe sigurim vullnetar për të plotësuar vjetërsinë në punë si në nivel minimal, ashtu dhe maksimal. Për këtë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), në mungesë të marrëveshjeve për njohjen reciproke të periudhave kontribuuese me shtetet ku banojnë emigrantët, ka mundësuar që këtyre personave, në bazë të legjislacionit shqiptar, t’u sigurohet kjo e drejtë. Ekspertët e ISSH-së kanë detajuar edhe çfarë mund të përfitojnë emigrantët me vjetërsinë e punës që kanë në Shqipëri, pa qenë të siguruar në momentin e përfitimit. Sipas drejtorit të Kontributeve pranë ISSH-së, Naim Balluku, emigrantët mund të marrin pension të pjesshëm kur kanë jo më pak se 15 vjet të siguruara, pension të plotë kur kanë jo më pak se 35 vjet të siguruara dhe pension invaliditeti kur janë tërësisht të paaftë për punë. Në rastin e fundit shteti duket se ka krijuar më shumë lehtësi, pasi vjetërsia mbi të cilën përfitohet pensioni do të llogaritet me një formulë të caktuar dhe jo me kufij “tavan” dhe “dysheme”. Sipas të dhënave të ISSH-së, është evidentuar se rreth 21 mijë shqiptarë, të paktën në Itali, nuk janë më të aftë të punojnë. “Duke qenë se kjo kategori është përballur me kushte pune të vështira, është menduar që për pensionet e invaliditetit të hartohet një formulë: ‘moshë, minus 20, pjesëtim për 2’ dhe nga kjo ne arrijmë të llogarisin vjetërsinë e kontributeve për pension invaliditeti të plotë. Për vjetërsi kontribuuese më të vogël, proporcionalisht me periudhën e siguruar, jepet pension invaliditeti i reduktuar. Në këtë kuptim, një invalid që mund të jetë në moshën 50-vjeçare, me këtë raport, përfiton pension të plotë invaliditeti kur ka 15 vjet vjetërsi pune. Në rastet kur ka më pak merr pension të pjesshëm në raportin: vjetërsi në punën që ka me vjetërsinë që i kërkohet sipas raportit të mësipërm”, - sqaron drejtori i Kontributeve në ISSH. Sipas Ballukut, invalidëve u jepet një shtesë për fëmijët që kanë në ngarkim, 5 për qind të pensionit kur këta të fundit janë nën moshën 18-vjeçare apo 25-vjeçare dhe kur vazhdojnë arsimin e lartë. Fëmijët përfitojnë pension edhe kur personi i siguruar në Shqipëri ka humbur jetën. Nga kjo skemë përfitojnë edhe ata persona që përkujdesen për invalidin në masën 15 për qind të pensionit. Sipas drejtorit të Kontributeve, të gjithë emigrantët që nuk kanë pasur mundësi që të krijojnë një vjetërsi të paktën deri në 15 vjet pune, për të siguruar këtë kohë apo edhe periudhën 35-vjeçare për pension të plotë, mund të sigurohen në mënyrë vullnetare. Ai sqaron edhe fushat ku mund të shtrihet sigurimi vullnetar për emigrantët.
Kontributet
Pjesë e skemës së sigurimit vullnetar të pensionit për të plotësuar vitet e nevojshme të punës mund të bëhen të gjithë personat e interesuar që janë larguar nga skema e sigurimit të detyrueshëm. Ndërsa përsa i përket mbulimit të periudhave të kaluara, sigurimi vullnetar bëhet vetëm për vitet e pasiguruara dhe jo për vitin aktual. Kontributi që do të paguhet do të jetë në masën e kontributit minimal në kohën e pagesës së tyre. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Sigurim për një shumë më të madhe të ardhurash kanë të drejtë të bëjnë të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë, duke paguar kontribute deri në nivelin maksimal, për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar. Aktualisht kontributi mujor për të përfituar nga skema e sigurimit vullnetar është ulur. Më parë kjo masë është llogaritur në shumën 3544 lekë, ndërsa nga fillimi i muajit maj kjo shumë është ulur në 3482 lekë. “Edhe për sigurimin e periudhave të kaluara do të paguhet kjo shumë për arsye se pensionet indeksohen çdo vit. Kontributet mund të paguhen tremujore dhe kur këto paguhen paradhënie zbritet 1.5 për qind nga shuma e kontributeve, gjashtëmujore ku zbritet 3 për qind e kontributeve dhe vjetore ku zbritet 6 për qind e kontributeve”, - sqaron specialisti i ISSH-së. Për këtë të fundit shqetësim mbetet fakti i mungesës së informacionit që kanë emigrantët shqiptarë për përfitimin e pensioneve në vend. Megjithëse ligji “Për Sigurimet Shoqërore” krijon kushte për plotësimin e periudhave të munguara për t’u përfshirë në kushte përfitimi, është shumë i rëndësishëm plotësimi i dokumentacionit që vërteton vjetërsinë në punë. Një pjesë e mirë e emigrantëve nuk e kanë ruajtur këtë dokumentacion, librezat e punës janë të paplotësuara në të gjitha rubrikat ose me mungesa, të cilat mund të vështirësojnë marrjen e përfitimeve që ofron Ligji i Sigurimeve Shoqërore në kohën që lindin këto.
Procedura
Për të siguruar pensionin edhe në Shqipëri emigrantët mund të autorizojnë të afërmit për të lidhur marrëveshje me strukturat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në rrethin ku kanë banuar dhe ku është arkivuar dhe vjetërsia në punë e tij për të vazhduar sigurimin vullnetar të pensionit. “Për ata emigrantë që disponojnë librezat e punës, do të ishte më e lehtë konfirmimi i viteve të punës, pasi do të shërbente si bazë për sigurimin e viteve të tjera të munguara. Për ata emigrantë që nuk disponojnë librezat e punës, në formularë të veçantë mund të shënohen periudhat e punuara dhe të siguruara në Shqipëri dhe të llogariten vitet e munguara. Për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë në Itali ISSH-ja ka lidhur marrëveshje me organizata jofitimprurëse, të cilat mundësojnë dhënien e informacionit të të interesuarve për sigurimin vullnetar. Konkretisht, marrëveshjet janë ligjëruar me disa organizata si INAS–CISL, ACAI, ENAS–UGL, që kanë marrë përsipër ta ofrojnë këtë shërbim falas, në mënyrë që emigrantët të rrisin mundësinë për sigurimin shoqëror. Nga ana tjetër, ISSH-ja ka hartuar dy formularë, ku njëri është për sqarime për problemet që kanë emigrantët, ndërsa formulari i dytë për konfirmimin e periudhave kontribuuese. Për të vetëpunësuarit në bujqësi dhe pensionistët përgjigjja kthehet po në formë elektronike, brenda dy ditëve nga marrja e kërkesës. Përsa i përket vjetërsisë në subjektet urbane, ku ende nuk ka përfunduar informatizimi i sistemit, megjithëse afati ligjor për verifikimin dhe konfirmimin në arkiva është për 5 muaj, përgjigjet e dhëna nga ISSH-ja kanë qenë jo më shumë se 15 ditë nga dita e ardhjes së kërkesave. “Kërkesat e emigrantëve për sigurimet shoqërore në përgjithësi përqendrohen në dy drejtime kryesore. Së pari, në drejtim të njohjes së legjislacionit të sigurimeve shoqërore dhe, së dyti, në konfirmimin e periudhave të punës në Shqipëri. Për realizimin e kërkesave ISSH-ja dhe INAS, në Itali, kanë një korrespondencë për plotësimin e formularëve. ISSH-ja i dërgon formularët, pasi i plotëson në formë elektronike, brenda muajit. Formulari, i cili vërteton periudhat kontribuuese, zëvendëson librezën e punës”, - shprehet drejtori i Kontributeve. Sipas Ballukut, gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri për emigrantët është e domosdoshme që së pari të evidentojnë dhe të regjistrojnë vjetërsinë kontribuuese që kanë në Shqipëri. Së dyti, nisur nga vjetërsia që kanë, ata duhet të angazhohen që nëpërmjet sigurimit vullnetar të kompletojnë të paktën 15 vjet për të përfituar pension të pjesshëm ose 35 vjet për të përfituar pension të plotë. Ndërsa për emigrantët shqiptarë në Greqi, ku mungojnë këto organizma, përfaqësive shqiptare diplomatike u është siguruar informacion i plotë për sigurimin e emigrantëve, duke i pajisur me manuale për të gjitha kategoritë e emigrantëve.

Disa statistika të emigrantëve në Itali

441 000 është numri i përgjithshëm i shqiptarëve me leje qëndrimi
12% të totalit e përbëjnë shqiptarët në Itali
56% janë femra
44% janë meshkuj
Motivi i marrjes së lejes së qëndrimit
54.2% për punë
42.5% bashkim familjar
5.1% për arsye të tjera
78.5% e lejeve janë marrë nga meshkujt
16.9% nga femra
4.6% nga të tjerë
64.4% zë mosha 18-39 vjeç
Përqendrimi i emigrantëve
33.5% në veriperëndim
26.8% në verilindje
27.2% në qendër
11.4% në jug dhe ishuj
45 281 numri i fëmijë të lindur
77 983 ndjekin shkollat që nga parapërgatitore e deri në të mesme
41 221 të punësuar 2005-2007
15 359 sipërmarrës shqiptarë
Prej të cilëve 83.8% sipërmarrës në ndërtim
Të dhëna
750 000 llogaritet numri i emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi
448 000 llogaritet numri i emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në Itali
Burimi: Instituti Sigurimeve Shoqërore

18 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›