Universitetet, zhvendosja e listave te fituesve pas largimit te 3 mije studenteve ne Itali
Jonida Tashi
Më shumë se 3 mijë kuota të lira pritet të dalin në universitete pas shpalljes së fituesve të fazës së parë. Kështu, nëse një maturant nuk do të rezultojë fitues që në fazën e parë të pranimeve në universitete, por gjendet shumë afër kufirit të pranimeve, nuk duhet të dëshpërohet. Për atë do të ketë sërish një shans të dytë për të fituar universitetin këtë vit. Kjo do të ndodhë falë zhvendosjes që do të pësojnë listat me fituesit e fazës së parë. Konkretisht, nuk dihet ende se sa do të jetë numri i vendeve të lira që do të dalin pas fazës së parë të fitueseve, por ajo që dihet deri tani është se 3 mijë të tilla janë të sigurta. Këtu bëhet fjalë për të gjithë ata maturantë, të cilët kanë aplikuar për të vijuar studimet e larta në Itali, por që për arsye se u nevojitet regjistrimi në një nga universitetet publike të në vend do të figurojnë në emrat e fituesve të fazës së parë. Përveç këtyre, nga listat e fituesve të fazës së parë do të largohen edhe mjaft fitues të tjerë, të cilëve e drejta e studimit u ka dalë edhe në disa fakultete të tjera. Në këtë pikë, secili prej tyre duhet të përzgjedh dhe të regjistrohet vetëm në njërin prej fakulteteve ku është shpallur fitues. Po ashtu, ekzistojnë edhe mjaft degë, sidomos në universitetet e rretheve, në të cilat kuotat e pranimit nuk plotësohen që me fituesit e fazës së parë, dhe në këto raste, në varësi të kuotave të akorduara, bëhet spostimi i listës drejt maturantëve që gjenden poshtë kufirit të pranimit, deri në plotësimin e numrit të duhur.
Fituesit
Fituesit e fazës së parë të pranimeve në universitete sipas kuotave të përcaktuara nga universitetet dhe të miratuara nga Këshilli i Ministrave pritet të shpallen në ditët e para të muajit shtator. Menjëherë pas daljes së notave për provimet me zgjedhje, specialistët e Agjencisë së Pranimeve në Universitete (APRIAL) nisën procesin e përpunimit të të dhënave përkatëse për të gjithë komponentët e Maturës Shtetërore, duke përfshirë mesataren e shkollës së mesme dhe notat e katër provimeve të Maturës. Kjo procedurë do të bëjë të mundur detajimin e listave me emrat fitues të maturantëve që do të kenë të drejtë të vijojnë studimet e larta për vitin akademik 2009-2010. Pas përpunimit të të gjitha të dhënave të grumbulluara për kandidatët maturantë për studime në universitetet publike specialistët e APRIAL-it do të përcaktojnë fillimisht listën e fituesve të fazës së parë. Në bazë të vendeve të mbetura bosh nga kjo fazë do të detajohet lista me fituesit e fazës së dytë sipas rendit zbritës të pikëve dhe kufirit të pranimeve për çdo degë. Nëse sërish do të rezultojnë vende të lira, do të hartohet lista e radhës me fituesit e universiteteve, derisa këta të fundit të plotësojnë numrin e kuotave të vëna në dispozicion nga qeveria.
Fazat
Një vit më parë, fituesit e universiteteve u përcaktuan në katër faza të njëpasnjëshme, që nisën në fillim të muajit shtator dhe përfunduan në dhjetor. Këtë vit pritet që kjo procedurë të bëhet pak më herët, për t’i paraprirë fillimit të vitit të ri akademik, në mënyrë që studentët e vitit të parë të mos e nisin fakultetin në dhjetor, por pak ditë pas çeljes së studimeve, që përkojnë me muajin tetor. Për përcaktimin e fituesve ndër kandidatët maturantë konkurrentë përdoret një program kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi, sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë. Në bazë të të dhënave të rezultateve në pikë, ministri i Arsimit vendos kufirin e kalueshmërisë, atë që e quhet “Cutoff”. Pas kësaj, pikët konvertohen në nota të shkallëzuara me dy shifra pas presjes dhjetore. Një komision i posaçëm i MASH-it realizon bashkimin e emrave të maturantëve me notën përkatëse, proces që fiksohet në 6 CD. Kjo metodologji përdoret për të katër provimet që japin maturantët dhe në përfundim secili maturant, në bazën e të dhënave, ka katër rezultatet e tij. Për të marrë kërkesat e maturantëve për programet e studimit që ata duan të ndjekin, përgatitet një formular i posaçëm (A2), ku shpallen të gjitha programet e studimit që ofrojnë universitetet shqiptare. Po në këtë formular merret dhe nota mesatare e maturantit. Kjo përbën elementin e pestë të meritës, i domosdoshëm në formulën llogaritëse të pikëve të maturantit. Kërkesat e maturantëve për programe studimi janë 10, të renditura sipas preferencave të tyre, të cilat merren parasysh në klasifikimin përfundimtar. Me marrjen dhe hedhjen e këtyre kërkesave, në bazën e të dhënave janë të gjithë elementët e nevojshëm për llogaritjen e pikëve të secilit maturant.
Regjistrimi i studentëve fitues do të bëhet sërish me dy faza
Regjistrimi i studentëve do të kryhet, si një vit më parë, në dy faza kryesore: regjistrimi paraprak dhe regjistrimi përfundimtar. Pasi shpallet lista e fituesve me renditjen fillestare të të gjithë kandidatëve në programet e studimit (degët) përkatëse, bëhet regjistrimi paraprak pranë sekretarive të universiteteve. Regjistrimi paraprak është i detyrueshëm brenda afatit kohor të përcaktuar nga MASH-i dhe nëse nuk kryhet, maturanti humbet të drejtën për të vazhduar më tej. Pas regjistrimit paraprak hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar për arsye të ndryshme dhe shpallet lista e re me fituesit përfundimtarë. Ata kandidatë, që në listën për regjistrimin përfundimtar do të jenë fitues në një program studimi tjetër nga ai i regjistrimit paraprak, duhet detyrimisht të çregjistrohen dhe të regjistrohen në programin e studimit ku kanë dalë fitues sipas listës përfundimtare. Nëse maturantët nuk bëjnë regjistrimin përfundimtar, humbasin të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë. Në të dyja rastet njoftimin se në cilën preferencë apo program studimi ka dalë fitues, maturanti e merr në shkollën e tij të mesme. Regjistrimet në universitete bëhen me dy faza, pasi shumë maturantë të regjistruar në universitetet publike, të shpallur fitues gjatë fazës paraprake, vendosin të konkurrojnë për studime jashtë vendit dhe largohen. Kandidatë të tjerë të regjistruar po në universitetet publike të vendit vendosin të ndjekin studime në universitete private. Kandidatë të tjerë nuk dëshirojnë më të vazhdojnë studimet e larta. Të gjithë këta kandidatë lënë kuota vakante (vende bosh) të cilat plotësohen nga kandidatë të tjerë. Pikërisht për të marrë këtë informacion dhe për të evituar bllokimin e kuotave kërkohet regjistrimi paraprak. Pas marrjes së këtij informacioni hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar paraprakisht brenda afatit kohor të përcaktuar. Vitin e kaluar, lista e kandidatëve fitues të regjistrimit përfundimtar tregoi se: Të gjithë kandidatët që kishin fituar në preferencën e tyre të parë, mbeten po aty fitues.
Formularë A3 për fituesit që do të shpallen pas fazës së parë
Maturantët që do të pranohen në universitete pas fituesve të parë duhet të plotësojnë Formularin A3 që do të shpallet në shtator nga Ministria e Arsimit. Të drejtën për t’u regjistruar në universitete, në ciklin e parë të studimeve, sipas programeve përkatëse të studimit e kanë kandidatët që shpallen fitues nga kuotat e parealizuara pas përfundimit të regjistrimeve në programet e studimit të ciklit të parë.
Për këtë kandidatët duhet detyrimisht të aplikojnë vetëm për vendet e shpallura nga Ministria e Arsimit. Kandidatët fitues përcaktohen nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve (APRIAL), në bazë të dy parimeve që janë ai i meritës dhe ai i preferencës. Parimi i meritës bazohet në pikët e grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore si dhe për disa programe studimi edhe të rezultateve të konkursit të pranimit për degët që kishin të tilla specifika. Kurse parimi i vullnetit të kandidatëve bazohet në preferencën më të lartë të zgjedhur prej tyre maturantëve në Formularin A3. Kanë të drejtë të plotësojnë Formularin A3 të gjithë kandidatët që: nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t’u regjistruar në ciklin e parë të studimeve në universitete në vitin akademik 2009-2010; janë përfshirë në listat e fituesve dhe nuk janë regjistruar në universitete për vitin akademik 2009-2010; janë fitues të regjistruar në një program studimi në vitin akademik 2009-2010 dhe nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi; kanë fituar provimet me zgjedhje në vitet 2007, 2008, 2009 dhe nuk figurojnë të regjistruar në programet e studimit në universitete. Formulari A3 do të përmbajë të gjitha kuotat e paplotësuara, për secilin program studimi të ciklit të parë dhe mundëson orientimin dhe aplikimin për programin e studimit të preferuar nga kandidati, në bazë të pikëve të fituara dhe të pikëve të fituesit të fundit.
18 Gusht 2009