Juve-Bajern, të besosh te përmbysja
Italianët kërkojnë një triumf historik, por favoritë për kualifikimin janë gjermanët
Llogaritë - Juves i nevojitet një fitore me tre gola diferencë ose katër në rast se gjermanët shënojnë një ose më shumë gola, siç ndodhi në 1/8-at pak javë më parë në Barcelona-Milan
Antonio Konte - Do të duhet të luajmë një ndeshje të ndryshme nga e para. Ata janë të mëdhenj, por diferenca nuk është ajo e ndeshjes në Mynih. Unë besoj se mund tia dalim
Jup Hejnkes - Kujdes Juventusin, është një skuadër e madhe, mund të bëjë të pamundurën të mundur. Ne vijmë këtu për të shënuar dhe për të fituar. Dimë si ti ndalojmë
Nevojitet një përmbysje historike, nuk ka mundësi tjetër. Për të nxjerrë Bajernin e Mynihut jashtë Europës, Juventus do të duhet të rikuperojë humbjen e hidhur 2-0 të ndeshjes së parë me një rezultat befasues në Torino. Nevojitet një fitore me tre gola diferencë ose katër, në rast se gjermanët shënojnë një ose më shumë gola, saktësisht siç ndodhi në 1/8-at pak javë më parë në Barcelona-Milan. Një mal i thepisur për tu kaluar, prandaj nevojitet që italianët të tentojnë të japin maksimumin për të shkatërruar demonët bavarezë. Në ndeshjen e parë, paraqitja e gjermanëve ishte një provë e një superioriteti dërmues, por u ka lënë bardhezinjve më shumë dëshirë për hakmarrje sesa zemërim. Dhe që nga 3 prilli në shtëpinë e Juves mendohet sesi të përmbysin një rezultat të rëndë, por jo të pamundur, edhe pse forca e traditës tregon se Juve në Europë nuk ka mundur të përmbysë kurrë një humbje 2-0 të pësuar në transfertë. Në Itali besojnë se Juve ende nuk është dorëzuar dhe Konte prej ditësh ka studiuar mënyrat sesi do të mund të arrijë përmbysjen e madhe. E vetmja kartë taktike që Konte mund përdorë për të surprizuar Bajernin, është ajo e kthimit të modulit 4-3-3, duke braktisur 3-5-2. Por kjo hipotezë nuk duket e mundshme, ngaqë Lihshtainer është i skualifikuar dhe mungon një alternativë e vlefshme si lojtar krahu në mbrojte me katër futbollistë. Ndër të tjera, në sulm pa Pepen, trajneri bardhezi nuk ka zgjedhje të tjera për të ruajtur një ekuilibër të mirë taktik. Dhe kështu që në këtë ndeshje, Juve do të zbresë në fushë me modulin 3-5-2.
Por në krahasim me ndeshjen e Mynihut, do të ketë disa ndryshime. Vidal do të zëvendësohet nga Pogba, një lojtar i aftë që do të vërë në vështirësi mbrojtjen e Bajernit. Sigurisht, edhe pse moduli do të jetë i njëjti, përqasja e Juves në ndeshje duhet të jetë e ndryshme dhe dy mesfushorët e krahut do të duhet të qëndrojnë të vendosur shumë përpara dhe të provojnë të shtyjnë për 90 minuta. Prandaj Peluzo (me më shumë tipare mbrojtëse) do të duhet ti lërë vendin Asamoahs. Në të majtë janë në balotazh Padoin-Isla, ku favorit është i pari. Ndërsa në zemër të mesfushës do të rreshtohen Pirlo, Markizo dhe Pogba. Bufon do të jetë mes shtyllave. Kielinin, Bonuçi e Barzalji do të formojnë treshen e mbrojtjes. Çifti i sulmit do të jetë Vuçiniç-Kualjiarela. Antonio Konte duket më shumë se i karikuar dhe paralajmëron Bajernin se këtë herë do të ketë përballë Juven e vërtetë: E dimë që do të duhet të luajmë një ndeshje të ndryshme nga e para. Ata janë të mëdhenj, por diferenca nuk është ajo e ndeshjes në Mynih, ku vuajtëm shumë probleme. Unë besoj se mund tia dalim. Ndërsa Bajerni, fituesi i freskët i 23 të titullit në Bundesligë dhe i entuziazmuar në maksimum, do të provojë të mbrojë 2-0 e ndeshjes së parë. Hejnkes do të zbresë me modulin e zakonshëm 4-2-3-1 me Manuel Nojerr në mbrojtje të portës, para tij mbrojtës qendre do të jenë Dante e Van Bujten të mbështetur në krahë nga Lahm e Alaba. Linja e mesfushës do të përbëhet nga Shvajnshtajger e Luiz Gustavo, që do të jenë në mbështetje të trekuartistëve, Roben, Myler e Riberi. Sulmuesi i vetëm do të jetë Mandzukiç. Trajneri Jup Hejnkës i paralajmëron të tijtë: Kujdes Juventusin, është një skuadër e madhe, mund të bëjë të pamundurën të mundur. Ne vijmë këtu për të shënuar dhe për të fituar. Dimë si ti ndalojmë. Tani fjalën e fundit do ta thotë fusha në Juventus Stadium
Juve-Bajern, të besosh te përmbysja burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email