E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juve bën "çmenduri" në Londër, Fulhami në çerekfinale

Bardhezinjtë kishin mundësi të mira për të kaluar në fazën çerekfinale, pasi ndeshjen e parë e kishin fituar me rezultatin 3-1. Edhe sfida e kthimit në Angli nisi mjaft mirë për skuadrën e Zakeronit, që ende pa filluar mirë loja, gjen golin me anë të David Trezege në minutën e dytë.

Por reagimi i ekipit të Premier Ligës erdhi vetëm gjashtë minuta më pas me anë të Bobi Zamoras. Në të 27-ën Fabio Kanavaro lë skuadrën me dhjetë lojtarë, pas daljes me karton të kuq. Epërsia për skuadrën e drejtuar nga Roi Hodgson erdhi gjashtë minuta para fundit të pjesës së parë, e cila u trefishua katër minuta pas fillimit të fraksionit të dytë. Tetë minuta para vërshëllimës përfundimtare, amerikani Dempsei shënoi golin që nxorri “Zonjën e Vjetër” jashtë Ligës së Europës.

Në ndeshjet e tjera të luajtura në orën 19:00, Benfika fitoi 2-1 në fushën e Marsejës, duke u kualifikuar në çerekfinale. Lumë golash në sfidën Verder Bremen-Valencia. Rezultati 4-4, i përmbysur disa herë, bën që spanjollët të sigurojnë çerekfinalen, pas barazimit 1-1 në sfidën e parë në “Mestaja”. Standardi i Liezhit është ekipi tjetër që siguron biletën për më tej, pasi mundi 1-0 në shtëpi grekët e Panathinaikosit (ndeshja e parë kishte përfunduar 1-3 për belgët).

Katër sfidat e tjera kanë filluar në orën 21:05.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›