E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juve, tjetër "frenim", Milani 4 pikë përpara

TORINO - Juventusi ka vazhduar edhe dje serinë e barazimeve në kampionatin italian, duke mos shkuar më shumë se një 0-0 në "Marassi" kundër Xhenoas. Për bardhezinjtë ky ishte barazimi i shtatë në tetë ndeshjet e fundit, një ecuri kjo shumë e keqe për një ekip që synon fitimin e titullit kampion. Ndeshja e djeshme ka qenë e dominuar totalisht nga Juventusi, që ka goditur traversën me Vuçiniç dhe shtyllën me Pepen, ndërkohë që në pjesën e dytë i është mohuar edhe një gol i rregullt i Pepes.

Si rrjedhojë e gabimeve të Ricolit, klubi bardhezi është futur në heshtje shtypi. Pra, polemikat nuk kanë përfunduar as dje edhe pse duhet thënë se më shumë sesa arbitri, faji për mungesën e fitores ka qenë i sulmit anemik të "Zonjës së Vjetër". Rastet e krijuara para portës së Freit kanë qenë të panumërta, por Juventusi nuk ka ditur t'i shfrytëzojë. Barazimi është bërë akoma më dramatik pas fitores 2-0 të arritur nga Milani përballë Leçes në "San Siro".

Nën sytë e Silvio Berluskonit, Noçerino në pjesën e parë dhe Zllatan Ibrahimoviç në të dytën, i kanë dhënë 3 pikët ekipit kuqezi, që tashmë e sheh veten i shkëputur me 4 pikë nga rivalët e Juves. Ndërkohë, Erjon Bogdani ka realizuar golin e tretë radhazi në Serinë A, por dje ky gol ka patur një tjetër rëndësi, pasi u shënua përballë Çezenës, ekipit që e largoi në janar. Sulmuesi kuqezi, pasi mori një top nga e djathta, mposhti Antoniolin, për ta çuar takimin në 2-0 për Sienën. "Jam shumë i kënaqur për golin dhe për fitoren e sotme, dua të falënderoj të gjithë ata që më besuan. Nuk kemi shpëtuar ende, pasi na duhen 40 pikë për këtë, kështu që nuk mund të dorëzohemi", deklaroi Bogdani për "Sky" pas ndeshjes.

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›