E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, republikani Santorum fiton në shtetin e Kansasit, rriten shanset për përballjen me Obamën

11-03-2012 / Gazeta 55

Në bastionin e konservatorëve, Rick Santorum fitoi lehtësisht ndaj kandidatëve Romney dhe Gingrich, të cilët nuk bënë fushatë në shtetin e Kansasit

Kandidati republikan për garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Rick Santorum, arriti një sukses të rëndësishëm në shtetin e Kansasit, në zgjedhjet brenda partisë.
Fitorja e tij në Kansas, një bastion i konservatorëve, ishte e paralajmëruar prej kohësh, ndërsa dy rivalët kryesorë, Mitt Romney dhe Newt Gingrich, nuk realizuan fushatë në këtë shtet. Sipas të dhënave zyrtare, Santorum grumbulloi 51% të mbështetjes në Kansas, i ndjekur nga Romney me 21%, Gingrich me 14% dhe Paul me 13%. Për senatorin 45-vjeçar të Pensilvanisë, suksesi ishte i domosdoshëm për të qëndruar në garë për fitore.
Në të njëjtën ditë, Romney arriti disa suksese më të vogla, duke fituar në territoret e “përtej detit”, në ishullin e Guamit, në Marianet Veriore, ishujt e Virgjëra Amerikane dhe shtetin e Uajomingut.
Pas rezultateve të “super të martës”, në të cilën Romney doli një fitues i qartë në dhjetë shtetet ku u mbajtën votimet, Santorum ka nevojë për një seri fitoresh për të mbajtur ritmin.
Kandidati zyrtar i republikanëve për president do të zgjidhet ai konkurrent që do të fitojë një numër të tillë votash, të “përkthyera” me 1 144 delegatë ose ai që mbetet i fundit në garë nëse kundërshtarët tërhiqen përpara arritjes së këtij kufiri.
Aktualisht, Romney llogarit mbështetjen e 453 delegatëve, ndjekur nga Santorum me 217, Gingrich 107 dhe Paul 47.
Ndërkohë presidenti në detyrë, Barack Obama i cili kandidon për një mandat të dytë, po fiton gjithnjë e më shumë terren në sondazhet e fundit ku paraqet një rritje të ndjeshme dhe nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani Obama do të merrte  një mandat  tjetër.
Zgjedhjet preliminare në Shtetet e Bashkuara do të mbahen edhe në muajt në vazhdim për të kulmuar më pas në konventën e muajit gusht.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›