Një vit nga tsunami shkatërrues në Japoni – e gjithë bota u bë dëshmitare e fuqisë dhe tërbimit të natyrës

Japonia shënon sot përvjetorin e parë të tërmetit dhe tsunamit shkatërrues që goditi bregdetin veri-lindor duke marrë jetën e mijëra personave. Tërmeti me magnitude prej 9 ballë shkaktoi dhe incidentin në centralin bërthamor në Fukushima, ku si pasojë mijëra persona u evakuan. Ceremonia kryesore përkujtimore u mbajt në Teatrin Kombëtar të Tokio-s. Ai u ndoq nga Perandori Akihito, dhe kryeministri i vendit, Yoshihiko Noda. Sirenat e alarmit u ndezën në të gjithë pjesën verilindore të vendit, në kohën kur goditi tërmeti, ndërsa këmbanat dhe lutjet kumbuan duke respektuar me një minutë heshtje mijëra viktima. Agjencia japoneze e lajmeve, Kyodo raportoi se disa trena rreth Tokios u ndalen per të shënuar këtë moment.
Tërmeti goditi Japoninë një vit më parë në mesditë, menjëherë më pas fuqia shkatërruese e tsunamit mori gjithcka përpara.
Si pasojë e dy fatkeqësive më të mëdha natyrore të vendit më shumë se 15 800 persona humbën jetën dhe mbi 3 mijë të tjerë rezultojne ende të zhdukur. Centrali bërthamor në Fukushima pas dëmeve të renda të shkaktuara ende u kujton banorëve kërcënimin dhe frikën e një viti më parë. Si pasojë e rrezatimit zonat përrreth tij janë të pabanueshme.
Ndërkohë, kryeministri Yoshihiko Noda ka premtuar mbylljen e tij dhe rindërtimin e qyteteve të shkatërruara.