E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus - kampione e Italise

Juventus pati epërsi të plotë në këtë ndeshje të luajtur në Trieste. Bardhezinjtë shënuan menjëherë, që në minutën e 6-të me anë të malazezit Mirko Vuçiniç, ndërsa më pas sulmoi pafundësisht duke humbur raste. Ndeshja mbeti rrezikshmërisht e hapur, duke ngjallur fantazmat e Leçes, por gabim tjetër të Bufonit nuk pati.
Në të kundërt, ishte Juventus që shënoi golin e dytë me autor pikërisht ish-sulmuesin e Milanit, Marko Borrielo. Fundi i ndeshjes ishte një festë e madhe e mijëra tifozëve juventinë që kishin bërë rreth 550 kilometra nga Torino për në Trieste.
Një mrekulli ky triumf i skuadrës së Antonio Kontes, që nuk ishte aspak favorite në fillim të sezonit, por që luftoi fort deri në fund, duke mos humbur asnjë ndeshje deri tani dhe duke përfituar nga mosimpenjimi në Europë për të fituar titullin e 28-të në histori dhe të parin që nga viti 2003.
Gjithsesi, ishte disfata 4-2 e Milanit në “San Siro” që i dorëzoi titullin Juventusit. Interi zuri në befasi Milanin në një ndeshje të mbushur me polemika pasi zikaltërit pretenduan për një gol të padhënë për ta, ndërsa protesta pati të paktën për 2 nga penalltitë, nga një për secilën skuadër.
Diego Milito kaloi Interin në epërsi në 14’ pas një skeme me Snajderin. Më tej, në 33’, Kambiaso gjuajti me kokë dhe Abiati largoi topin, por ndoshta pasi e kishte kaluar vijën fatale. Portieri u dëmtua dhe i la vendin Amelias.
Në fund të pjesës së parë, Ricoli dha penallti për Milanin, mes protestave të zikaltërve, ndërsa Ibrahimoviç nuk gaboi nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Me të nisur pjesa e dytë, dhe sërish Ibra ishte autor goli për skuadrën e Alegrit që kaloi në epërsi dhe momentalisht e ruajti diferencën 1-pikëshe me Juventusin.
Kaluan vetëm pak minuta dhe sërish penallti. Këtë herë për Interin për një ndërhyrje të Abates ndaj Militos. Është vetë Milito që nuk u lëkund aspak dhe barazoi në 2-2. Fundi ishte sëirsh zikaltër. 11 minuta para fundit, gjyqtari dha penalltinë e tretë të mbrëmjes pasi Nesta preku topin me dorë. Milito gjuajti dhe shënoi golin e tij të tretë të mbrëmjes, të 24-in në kampionat, por festa përfundoi vetëm kur shënoi edhe Maikon.
Braziliani goditi fuqishëm 2 minuta para mbylljes së kohës së rregullt, ndërsa topi mori një trajektore të jashtëzakonshme. Pavarësisht polemikave, një fitore e merituar e Interit dhe titulli që shkon për Juventusin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›