E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo sulmon Guardiolen

Pas triumfit në La Liga, Zhoze Murinjo flet edhe për tema që nuk kanë lidhje për futbollin. “Ndihem mirë me Zotin, e mendoj se edhe Ai ndihet mirë me mua”, ishin disa nga fjalët e trajnerit të Realit të Madridit, gjatë një rrëfimi të gjatë për gazetën spanjolle “ABC”.

Megjtihatë, Murinjo nuk mund të ndryshojë dhe këtë e konfirmon me polemikat dhe akuzat ndaj Pep Guardiolës, duke lënë të nënkuptohet se trajneri në largim I Barcelonës është një mashtrues.

“Nga Pep kam kujtime të mira. E kam njohur që kur ishte futbollist dhe unë isha asistent/trajner. Por, të jesh trajner është diçka krejt e ndryshme. Nuk është normale që të shesësh një imazh perfeksioni, pasi askush nuk është i tillë. Personalisht nuk e kam bërë kurrë diçka të tillë, nuk I fsheh difektet e mia dhe në moshën 49 vjeçare nuk do të ndryshoj”, ishte deklarata e “Special One”.

Pas Guardiolës, drejtuesi i stolit “merengue” sulmoi edhe Barcelonën, duke nënvijëzuar se “humbja me blaugranat” nuk e ka zhgënjyer më tepër se eliminimi nga Bajerni. Me La Ligan, Murinjo fitoi kampionatin e katërt të madh në Europë, por rekordi unikal i takon triumfeve në Angli, Itali dhe pikërisht në Spanjë.

“Askush nuk e kishte realizuar diçka të tillë. Është një eksperiencë profesionale dhe jete spektakolare. Nuk mendoj se do të jem I vetmi, sepse pas dhjetë vjetësh kjo mund të përsëritet nga trajnerë dhe lojtarë të tjerë. Kam të paktën edhe dy vjet kontratë me Realin dhe dua të vazhdoj të fitoj, edhe pse duhet ta pranoj që puna në Madrid ka qenë më e vështira për mua”.

Në fund, Mou foli edhe për merkaton, duke mohuar zërat për largimin e sulmuesit argjentinas, Gonzalo Higuain, ndërsa theksoi edhe një herë se Kristiano Ronaldo mbetet lojtari më I mirë në botë dhe meriton të fitojë “Topin e Artë 2012”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›