Partizani drejt Kategorise se Pare

Nuk ia vlen të flitet për nostalgji. Kjo, sepse sporti nuk ecën me opinion, por sipas realitetit, por një universitet i madh është e mira që të ekzistojë. Universiteti i kuq me emrin Partizani ka ngjitur të paktën një kat dhe do të luajë edicionin e ardhshëm në Kategorinë e Parë, pasi preku fundit kur u rrëzua në të dytën. E vërteta është se duhet të luhet edhe një ndeshje, ajo ndaj Këlcyrës në Tiranë, pasi ka edhe një javë deri në përfundim të aktivitetit, veçse praktikisht çdo gjë ka marrë fund.
Skuadra e trajnerit Marko Pelinxhi dhe e Perlat Mustës së shquar fitoi 2-1 në Cërrik ndaj Turbinës vendase, në një ndeshje që pati tension, pasi gjyqtari anësor Bregasi besohet se është goditur nga tifozët vendas dhe loja u ndërpre për disa minuta nga kryesori Hakrama.
Të kuqtë fituan me golat e shënuar nga Shkoza dhe Gjoka që të dy në pjesën e parë, ndërsa po në këtë fraksion loje, Batha barazoi përkohësisht për vendasit.
Në pjesën e dytë, cërrikasit patën pretendime për një gol që iu anulua për pozicion jashtë loje, ndërsa të kuqtë ia arritën që të mbaheshin deri në fund.
Me shumë gjasa, Partizani do ta lerë prapa Naftëtarin që e ndjek me vetëm 1 pikë më pak pas fitores 2-0 në Tepelenë dhe pastaj do të luajë finalen për titullin kampion të Kategorisë së Dytë, në “Qemal Stafa”. Në grupin tjetër, kryesues është Tërbuni i Pukës, që ka 2 pikë më shumë sesa Sukthi, duke e ruajtur këtë diferencë në ndeshjen direkte luajtur këtë fundjave dhe që përfundoi 0-0. Në javën e fundit, Tërbuni pret Korabin në Pukë.