E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperia miqesore me Iranin

Kombëtarja shqiptare vazhdon të sigurojë miqësore për t’u përgatitur sa më mirë për kualifikueset e Botërorit 2014. Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi arritjen e akordit me homologen e saj iraniane, për zhvillimin e një ndeshje gjatë këtij muaji.

Përfaqësuesja kuqezi do të luajë kundër Iranit në datën 27 maj, ndërsa takimi do të zhvillohet në qytetin më të madh turk, Stamboll. Skuadra iraniane është një kundërshtar mjaft prestigjioz dhe ka statusin si një prej Kombëtareve më të forta të kontinentit aziatik. Në fakt, ata renditen të katërtët në Azi, ndërsa janë të 51-tët në klasifikimin e FIFA-s.

Irani ka marrë tre herë pjesë në fazën finale të Botërorit, më 1978 në Argjentinë, 1998 në Francë dhe 2006 në Gjermani, tre herë ka fituar në Kupën e Azisë në vitet 1968, 1972 dhe 1976, ndërsa në katër raste është renditur e treta.

Irani drejtohet nga trajneri I mirënjohur portugez, Karlos Kueiroz, që ka punuar te Sporting Lisbona, asistent I Aleks Ferguson te Mançester Junajtid dhe në stolin e Realit të Madridit, ndërsa në nivel ndërkombëtar ai ka drejtuar dy herë përfaqësuesen e Portugalisë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Afrikën e Jugut dhe prej vitit 2011 është në krye të stolit të Iranit.

Kueiroz e ka cilësuar miqësoren me Shqipërinë si një sfidë mjaft interesante dhe një ndeshje që do ti shërbejë të dyja përfaqësueseve.

Testi me Iranin është miqësorja e dytë e kuqezinjve të drejtuar nga De Biazi në fund të këtij muaji. Në fakt, më 22 maj Shqipëria do të luajë me Katarin në Madrid, ndërsa 5 ditë më pas, pra në datën 27 do të zhvillohet miqësorja me Iranin në Stamboll. Një tjetër miqësore zyrtare për Shqipërinë është edhe ajo e 15 gushtit me Moldavinë në shtëpi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›